Botë

Republikanët: s’ka pasur bashkëpunim në mes Rusisë dhe Trumpit

13.03.2018 12:53

Republikanët në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se paneli ka përfunduar hetimet mbi përfshirjen e Rusisë....

Republikanët në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se paneli ka përfunduar hetimet mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe ka ardhur në përfundim se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Kremlinit dhe fushatës së presidentit, Donald Trump.
 
Draft-raporti që u publikua në media më 12 mars u prit mirë nga Trumpi por u hodh poshtë menjëherë nga përfaqësuesit demokratë të komitetit. Në raport, republikanët thanë se janë pajtuar që Rusia e ka kërkuar që të ndikojë në zgjedhje, duke përhapur propagandë dhe lajme të rreme në lajme dhe media sociale. Përfaqësuesi republikan, Mike Conaway, që ka udhëhequr hetimet e këtij paneli, i ka prezantuar para mediave të gjeturat e raportit.
 
“Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi të bashkëpunimit”, u ka thënë ai gazetarëve, duke shtuar se “gjykimi i papërshtatshëm i takimeve” me rusët ka qenë i vetmi gabim që ka bërë stafi i fushatës së Trumpit.
 
Ndërkaq, demokrati, Adam Schiff, ka thënë se kundërshton fuqishëm raportin, duke shtuar se hetimi i komitetit nuk është i përfunduar, por, sipas tij, të dhënat e deritashme tregojnë “qartë” se Rusia është munduar të ndihmojë Trumpin dhe të dëmtojnë rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, gjatë zgjedhjeve presidenciale.