Botë
Gazë, kryeministri palestinez i shpëton atentatit
13.03.2018 13:20
Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi, që kishte për shënjestër autokolonën e kryeministrit palestinez, ka plagosur disa persona, por Rami Hamdallah ka shpëtuar pa lëndime...

Përveç kryeministrit palestinez, sulmi kishte si objektiv edhe kreun e shërbimeve sekrete, Majed Faraj, që të dy përfaqësues të lartë të Fatahut. Sipas disa dëshmitarëve, një person që po kalonte me motor hodhi një pajisje shpërthyese drejt makinës së fundit të autokolonës së kryeministrit, vetëm pak pasi ajo kishte hyrë në Gaza përmes pikëkalimit të Erezit, që lidh enklavën me Izraelin.
Zyra e presidentit Abbas tha se bën përgjegjëse Hamasin për këtë shpërthim. Hamasi, nga ana e tij e quajti “një krim të shëmtuar” dhe tha se ka nisur një hetim. Pas incidentit, Hamdallah u shfaq në një ceremoni për hapjen e një impianti të trajtimit të ujërave.
Pavarësisht sulmit, ai tha se mbetet i angazhuar për unitetin e palestinezëve dhe do të vazhdojë të shkelë në Gaza. Incidenti ndodhi mes tensioneve në rritje mes fraksioneve kryesore palestineze mbi implementimin e marrëveshjes së pajtimit të nënshkruar vitin e kaluar.
