Trump shkarkon ministrin e jashtëm, emëron Pompeon në vend të Tillersonit
Tashmë një kohë të gjatë spekulohej për dorëheqjen apo shkarkimin e shefit të diplomacisë amerikane, e tanimë lajmi u vërtetua...

Tilerson është shkarkuar dhe në vend të tij presidenti Trump ka emëruar shefin e CIA-s, Mike Pompeo.
Si zakonisht në Tuiter, presidenti Trump bëri publik këtë vendim të rëndësishëm, duke e shoqëruar me bindjen se Pompeo do të bëjë punë të shkëlqyer.
Pasardhëse e Pompeos në krye të CIA-s u emërua Gina Haspel, e para femër në një post kaq të rëndësishëm. Tillerson, që më parë ishte drejtues ekzekutiv dhe kryetar i gjigantit energjetik, ExxonMobil, e mori detyrën e sekretarit të shtetit pak pas marrjes së mandatit nga Trumpi, në shkurt 2017.
65 vjeçari pati mbrojtur disa herë pozicione të ndryshme nga ato të presidentit të ShBA-ve, për shembull në konflikt me Korenë e Veriut.
Trumpi e akuzoi për humbje kohe ministrin e tij të jashtëm, për shkak të përpjekjeve të tij për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Të hënën, Tillersoni u bashkua me Qeverinë britanike, e cila e akuzon Rusinë për atentatin me helm në Angli ndaj ish-agjentit të dyfishtë, Sergej Skripal.
Pak më parë, Shtëpia e Bardhë nuk kishte pranuar që të bënte këtë interpretim. Ky ndërrim në personel në administratën e Trumpit është në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të personelit që prej marrjes së mandatit të presidentit të ShBA-ve.
