Maqedoni

Makraduli: për fillimin e bisedimeve me BE-në, kapitulli 27 për ambientin ndër kapitujt më seriozë

13.03.2018 15:57

Duhet të jemi të gatshëm për fillimin e bisedimeve me BE-në, ndërsa kapitulli i 27 për ambientin jetësor...

Duhet të jemi të gatshëm për fillimin e bisedimeve me BE-në, ndërsa kapitulli i 27 për ambientin jetësor është një ndër kapitujt më seriozë në këtë proces, deklaroi zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.
 
Ai njëherit kërkoi bashkëpunim nga sektori i biznesit, e sidomos nga grumbulluesit kolektivë të një pjese të mbeturinave, për harmonizimin e ligjeve të vendit me ato europiane. Makraduli sqaroi se kur është në pyetje riciklimi dhe rrjedhat e veçanta të mbeturinave, aktualisht po përgatiten dy ligje.
 
Ai njëherit informoi se më 19 mars pritet që të fillojë me punë filteri i ri në deponinë “Drislla”, ndërsa tashmë është përzgjedhur edhe vendi i deponisë në verilindje të vendit. 
 
“Përkundër atyre standard dhe grumbulluesve kolektivë që ekzistojnë deri tani, dëshirojmë ta rrisim përhapjen që të përfshihen edhe yndyrat, gomat dhe tekstili, diçka që partnerët perëndimorë të kompanive vendore po e kërkojnë”,- u shpreh zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.
 
Përveç ruajtjes së ambientit, kjo sjell edhe përfitime dhe vende të reja të punës, theksoi Makraduli, sipas të cilit qeveria do ta stimulojë mënyrën e re të menaxhimit me mbeturinat, e sidomos selektimin dhe riciklimin, por edhe zgjidhjen e problemit me deponitë e egra.
 
Nga ana tjetër, Asociacioni për trajtimin e mbeturinave alarmon për nivel të lartë të mbeturinave të cilat kërkojnë intervenim të shpejtë që të mos shndërrohen në problem serioz ekologjik. 
 
“Përqindja e mbeturinave është e lartë dhe nëse nuk veprojmë seriozisht për t’u përballur sa më herët, atëherë në një afat të mesëm do të kemi problem serioz ekologjik, jo vetëm në aspektin e ndotjes së ambientit, e cila do të jetë vizuale, por edhe në aspektin e shëndetit të qytetarëve”,- tha Filip Ivanovski nga Asociacioni për Trajtimin e Mbeturinave.
 
Në vend ekzistojnë prej 68 deri në 88 deponi ilegale, të cilat ndikojnë shumë në ndotjen e mjedisit jetësor. Këto prononcime dhe të dhënat u shpalosën në konferencën me temë “Përvojat europiane për rolin e kompanive që i menaxhojnë rrjedhat e veçanta të mbeturinave tani dhe në të ardhmen”. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI