Botë

Vdes shkencëtari më i madh i kohës sonë, Hawking, gjeniu që për 55 vjet sfidoi mjekësinë

14.03.2018 09:19

Ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare ai që cilësohej si një nga mendjet më të ndritura të botës, shkencëtari, Stephen Hawking...

Fizikanti i shquar ndërroi jetë paqësisht në shtëpinë e tij në Kembrixh, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rrallë të qelizave nervore, me të cilën u  diagnostikua në vitin 1963, kur ai ishte 21 vjeç dhe sfidoi ekspertët mjekësorë të cilët i thanë që kishte vetëm dy vite jetë.

Në 55 vitet që pasuan, ai u bë shkencëtari më i famshëm në botë që pas Albert Einsteinit për punën e tij në eksplorimin e mistereve të hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza, pavarësisht se ishte i lidhur pas karriges me rrota dhe ishte në gjendje të komunikonte vetëm duke përdorur një kompjuter dhe sintetizuesin e tij të zërit.

Librat më të famshëm të Hawking janë modelet matematikore për Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Albert Einsteinit dhe natyrën e universit, si: Big Bangu dhe Vrimat e Zeza. Ai ka shkruar gjithsej 15 libra, në disa prej të cilëve ka qenë bashkëautor.