Maqedoni
22 vjet Korpusi i Paqes në RM, 736 vullnetarë dhanë kontribut në 43 komuna
14.03.2018 16:27
Korpusi i Paqes i pranishëm në Republikën e Maqedonisë tashmë dy dekada kontribuon në përforcimin e miqësisë...

Korpusi i Paqes i pranishëm në Republikën e Maqedonisë tashmë dy dekada kontribuon në përforcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes vendit tonë me ShBA-të.
Vullnetarë nga ShBA-të në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, përmes programit për zhvillim të komunitetit, janë në komunikim të drejtpërdrejtë me vetëqeverisjen lokale dhe ndihmojnë në aktivitetet në komuna.
“Për momentin kemi 100 vullnetarë që jetojnë në Maqedoni, ata duhet t’i parashtrohen trajnimeve dhe shumë kritereve, duhet mësojnë gjuhën maqedonase dhe shqipe, ku pas këtyre trajnimeve ata drejtohen në qytete dhe vende rurale. Çdo vit përafërsisht kemi 50 vullnetarë që vijnë për të jetuar në Maqedoni në periudhë dyvjeçare”,- tha drejtori i korpusit të paqes, Mark Henafin.
“Jemi fokusuar që t’i vendosim vullnetarët nëpër komuna në të cilat deri më tani nuk ka pasur vullnetarë. Korpusi paqësor ka punuar këtu në Maqedoni me më shume se 700 vullnetarë dhe secili vullnetar ka shërbimet e veçanta dhe përkushtimin ndaj komunitetit ku ata janë prezentë”,- theksoi ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.
“Është me të vërtetë motivuese kur shihni njerëz që kurrë më parë nuk kanë pasur kontakt me Maqedoninë, në më pak se një vit kanë mësuar si maqedonishten ashtu dhe shqipen. Ata janë shumë të përkushtuar në zhvillimin e bashkësive lokale dhe me punë dhe shumëgjuhësinë e tyre kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike, të paprekura nga paragjykimet dhe stereotipat”,- u shpreh ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.
Deri më tani 736 vullnetarë kanë dhënë kontributin e tyre në 43 komuna në Maqedoni.
GAZMEND KURTISHI
