Maqedoni

64 vota “për” për Ligjin e gjuhëve, aparati shtetëror do të flasë edhe shqip

14.03.2018 17:09

Në një atmosferë të tensionuar, Kuvendi miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë...

Grupi parlamentar i kryesuar nga VMRO-DPMNE, posaçërisht ish-kryetari i VMRO-së, deputeti Nikolla Gruevski, nuk ia doli të pengojnë miratimin e këtij ligji në lexim tretë.     
 
“Gjithsej votuan 64 deputetë, abstenime nuk ka, kundër nuk ka. Ftoj deputetët e bashkësive të votojmë me ngritje dore. Gjithsej votuan 24 deputetë. Konstatoj se ligji është miratuar”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Paraprakisht, VMRO-DPMNE kërkonte që Kuvendi të shqyrtojë mbi 35 mijë amendamentet që kjo parti kishte parashtruar për të penguar miratimin e ligjit ose të mblidhet Komisioni për çështje të mandateve që të vendosë nëse shqyrtimi i amendamenteve është në harmoni me Rregulloren ose jo.    
 
“Kërkojmë që të mblidhet Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit, i cili sipas vendimit me numër arkivor 08/1380/1, i marrë më 31.05.2017, dha mendim në lidhje me shkeljen e Rregullores për punë të Kuvendit”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Donço Danev.
 
Kërkesa e deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk u mor parasysh nga kryeparlamentari Xhaferi. Sipas tij, gjatë miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve ka respektuar Kushtetutën dhe  Rregulloren dhe se kushtetutshmërinë e ligjit përkatës dhe ligjeve të tjera që i miraton Kuvendi i vlerëson Gjykata Kushtetuese.
 
Për të penguar miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE parashtroi 35 569 amendamente.   
 
Ligji obligon të gjitha institucionet që brenda një viti nga dita e miratimit të tij dhe shpalljes në Gazetën Zyrtare që të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, ndërsa në afat prej gjashtë muajve të gjitha mbishkrimet dhe vulat e institucioneve duhet të shënohen edhe në gjuhën shqipe. 
 
Konform ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe do të përdoret në komunikim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve që përbëjnë aparatin shtetëror. 
 
Ligji parasheh edhe themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të RM-së.
 
SHPËTIM NUREDINI