Maqedoni

“Drejtësi për Almirin”, familjarët: rikualifikimi i lëndës, vrasje e dytë

14.03.2018 17:54

Me protesta para Kuvendit dhe Prokurorisë, Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” edhe njëherë kundërshtoi paralajmërimin...

Me protesta para Kuvendit dhe Prokurorisë, Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” edhe njëherë kundërshtoi paralajmërimin për rikualifikim të lëndës për rastin e Almir Aliut nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”.
 
Protesta u mbajt një ditë para se Gjykata Themelore në Kumanovë të japë fjalën përfundimtare për rastin. Familjari i Almirit,  Nijazi Aliu, tha se rikualifikimi i lëndës do të ishte vrasja e dytë e Almirit.
 
Për Organizatorët e  protestës, edhe pas ndryshimit të prokurorëve, asgjë nuk ka ndryshuar për drejtësinë në vend. 
 
“Para katër muajve e kam bërë një ankesë këtu dhe nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje, përveçse sot që më është lajmëruar ndihmësja e Joveskit dhe më tha se nuk kemi pasur adresë për ta kthyer përgjigjen e ankesës. Aq sa isha i revoltuar i thashë: sa të mundeni mbroni terroristin se ai do t’ua vrasë fëmijët edhe ia mbylla telefonin. Nesër Almiri vritet për të dytën herë”,- u shpreh familjari i Almir Aliut, Nijazi Aliu.
 
"E vetmja gjë që mund ta themi se me ndryshimin e prokurorëve republikanë nuk po ndryshon edhe gjendja e drejtësisë në Maqedoni, apo thjesht iku Zvërlevski erdhi Joveski”,- theksoi organizatorja e protestës, Anita Latifi.
 
Një ditë para seancës gjyqësore për fjalët përfundimtare, prokurorja e rastit, Suzana Kusingerska, mblodhi gazetarët në brifing e tha se “ndjen keqardhje për nënën e vogëlushit katërvjeçar”.
 
Ajo nuk sqaroi se çfarë përmbajnë fjalët përfundimtare dhe a do të ketë rikualifikim të rastit, si dhe a është nënshkruar vendimi për përsëritjen e procedurës së rastit të Almir Aliu nga ish-prokurori publik, Marko Zvërlevski, apo nga prokurori publik aktual, Lubomir Joveski.
 
Familjarët, protestuesit dhe avokati mbrojtës kanë kërkuar monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor, për çka u janë drejtuar me një shkresë ambasadave relevante në vend nga të cilat kanë kërkuar monitorimin e procesit gjyqësor që të sigurohet gjykim i drejtë për rastin e Almirit.
 
GYLTENE SINANI