Maqedoni
Rasti “Monstra”, PPS pritet të vendosë nëse e merr lëndën. Babai i të vrarit Aleksandar: Gjykata po tallet me rastin “Monstra”
14.03.2018 18:13
Prokuroria Speciale Publike ka marrë në shqyrtim lëndën për rastin “Monstra” dhe në afat prej 8 ditësh...

Prokuroria Speciale Publike ka marrë në shqyrtim lëndën për rastin “Monstra” dhe në afat prej 8 ditësh do të duhet të vendosë nëse do të marrë kompetencat mbi këtë lëndë apo jo.
Avokatët e mbrojtjes besojnë se me përgjimet që i posedon PPS do ta zbardhin këtë rast dhe mbase edhe do t’i detektojnë fajtorët.
“Jam i sigurt se lëndën do ta marrë PPS-ja, kjo do të thotë se mundi i avokatëve deri tani që kjo lëndë të jetë në kompetencën e PPS-së arriti me sukses dhe më është mëse e sigurt se PPS-ja, pasi lëndën fizikisht e ka marrë, do të thotë pritet vendimi që në afat të shkurtë, prej 8 ditësh, që lëndën ta punojë PPS-ja dhe do ta përfaqësojë këtë lëndë. Është më se e qartë që telefonatat që i ka PPS-ja, që ishin dhënë nga lideri i atëhershëm i opozitës, do ta argumentojnë dhe do ta zbardhin këtë rast dhe mendoj se edhe fajtorët e rastit në bazë të telefonatave do të detektohen në këtë rast”,- u shpreh avokati i mbrojtjes, Naser Raufi.
Nga ana tjetër, prindërit e të vrarëve thonë se gjykata vite me radhë po tallet me rastin. Ata thonë se kanë humbur besimin në sistemin, sidomos pas informatave të reja për një pjesë të provave në këtë rast - si automjeti për arratisje.
“Gjykata tashmë gjashtë vite po tallet me rastin “Monstra”. Edhe partitë politike bëjnë pazarllëk me rastin tonë, po bëjnë pazar me gjakun e fëmijëve tanë. Pushteti i mëparshëm na thoshte një, ndërsa i tanishmi na thotë se vetura Opel Omega është e MPB-së dhe se ka humbur një telefon i një funksionari të lartë të kundërzbulimit që është gjetur në liqenin e Smillkovës”,- deklaroi babai i të vrarit Aleksandar, Goran Naçevski.
Rasti “Monstra” u kthye sërish në rigjykim, pasi Gjykata Supreme i anuloi aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit me të cilat gjashtë persona ishin dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër djelmoshave dhe një personi tjetër te liqeni i Smillkovës.
NAIM RAMADANI
