Maqedoni
Ligji për gjuhët, protesta para kuvendit, kundërshtohet dygjuhësia
14.03.2018 18:30
Kanë vazhduar ndërkohë protestat para kuvendit, para se të fillonte seanca plenare për miratimin e Ligjit të gjuhëve...

Protestuesit kishin si qëllim të ndalonin deputetët ta votojnë këtë ligj që e cilësojnë si antikushtetues, e që cenon identitetin e Maqedonisë. Gjatë kohës së protestës vëreheshin forca të shumta të policisë.
“Nga koha ka pasur maqedonas,turq, vlleh, shqiptarë, serbë dhe bashkësi tjera etnike dhe nuk mundemi që ligjërisht dhe legalisht të bëjmë që të jenë vetëm dy gjuhë zyrtare për arsye se Maqedonia nuk është shtet binacional por është një shtet multietnik”,- tha një protestues.
“Për të satën herë me radhë jemi mbledhur këtu për të thënë jo për tradhtinë që po i bëhet Maqedonisë dhe popullit të saj”,- u shpreh një protestues.
“Maqedonia me dekada ka jetuar me këtë gjuhë zyrtare dhe nuk ka pasur asnjëfarë lloj problemi”,- theksoi një protestues.
“Njëherë na ndryshuan flamurin, na ndryshuan kushtetutën, tani dëshirojnë të na ndryshojnë edhe emrin edhe gjithçka tjetër që kemi”,- deklaroi një protestues.
“Duhet edhe populli të dëgjohet, nuk janë vetëm ata këtu”,- tha një protestues.
“Populli duhet ta japë votën, ata nuk e dinë se si Maqedonia jonë duhet të bëhet edhe ata nuk duhet të votojnë asnjë ligj pa mos i pyetur qytetarët”,- theksoi një protestues.
GAZMEND KURTISHI
