Maqedoni
Xhaferi: u respektuan të gjitha procedurat
14.03.2018 19:15
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaroi për mediat se Ligji për avancimin e gjuhës shqipe është sjellë në përputhje me rregulloren e Kuvendit...

Xhaferi tha se ky ligj është harmonizuar me Kushtetutën e vendit. Vlerësim pozitiv për të dha Komisioni Juridik Ligjvënës, ndërsa e gjithë seanca është udhëhequr në pajtim me ligjin dhe rregulloren e kuvendit.
Sa i përket mosdebatimit për amendamentet e opozitës, Xhaferi u thirr në nenin 164 të paragrafit 2 të rregullores së kuvendit, i cili parasheh dorëzimin e amendamenteve në lexim të tretë vetëm për pjesët e ligjit në cilat në leximin e dytë është intervenuar me amendamentet.
“Neni 75 i Kushtetutës parasheh procedurën e miratimit të ligjit që kur nuk e dekretoi kryetarin e shtetit. Ajo procedurë kushtetuese është respektuar plotësisht. Parlamenti vlerëson se sugjerimet ose vërejtjet e kreut të shtetit nuk janë kompetencë e të njëjtit dhe si të tilla nuk mund të jenë pjesë e rishqyrtimit të ligjit përkatës, për faktin që e drejta e vetos e kryetarit të shtetit nuk nënkupton që kryetari i shtetit ka kompetencë, gjegjësisht, d.m.th. vërteton që ai nuk i ka kompetencat e vlerësimit të kushtetueshmërisë së ligjit të miratuar në parlament dhe aq më pak kryetari nuk ka kompetencë të jetë pjesë përbërëse e procedurës ligjvënëse dhe të jetë partner në pushtetin ligjvënës për këtë arsye vërejtjet e tij nuk mundeshin të shqyrtohen për faktin që janë në kundërshtim me kushtetutën”,- deklaroi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi nuk deshi të komentojë sjelljen rebele të Gruevskit ndaj tij, i cili prishi sistemin elektronik të votimit të ligjit duke hedhur ujë mbi kryeparlamentarin.
“Për shkak të derdhjes së ujit nga ana e deputetit, Nikolla Gruevski, nuk mund të bëhej votimi elektronik, për këtë arsye mbaroi votimi i drejtpërdrejtë me paraqitjen e deputetëve. Nga prezentët në sallë, 24 deputetë që u takojnë etnive joshumicë votuan për ligjin dhe kjo është e mjaftueshme që ligji të miratohet, gjëgjësisht të marrë verdiktin e parlamentit”,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Xhaferi u tha gazetarëve se nuk do të ndërmarrë asnjë masë ndaj Gruevskit dhe njëherit porositi se sjelljen e tij do ta gjykojnë po të njëjtit, qytetarët, të cilët në zgjedhjet e fundit e dënuar atë.
Xhaferi tha se derisa ai do të udhëheq me seancat, asnjëherë nuk do të lejojë të përsëritet 27 prilli i vitit të kaluar dhe 24 dhjetori, ku pati dhunë në kuvend.
REXHEP QAMILI
