Ivanov: ligji për gjuhët, antikushtetues
Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, e ka quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”...

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, e ka quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike” miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar, do të shkaktojë bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues”, tha Ivanov.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktojë tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një paraqitje drejtuar qytetarëve.
Ai po ashtu ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit, Zoran Zaev, dhe shumicës parlamentare.
“Ky ligj është shprehje e tiranisë të shumicës parlamentare ndaj shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Shumica e qytetarëve asnjëherë nuk kanë votuar dhe as që do të votonin një program politik që parasheh një ligj të tillë, antikushtetues, antishtetëror dhe ligj të dëmshëm. Një ligj i tillë jo i drejt nuk meriton të quhet ligj”, deklaroi Ivanov.
Por, bazuar në nenin 75 të kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar të dekretojë ligjin, nëse i njëjti miratohet për herë të dytë nga Kuvendi, që nënkupton se pas votimit të djeshëm Ivanovi nuk do të mund ta pengojë hyrjen e ligjit në fuqi.
