Maqedoni
Xhaferi: Ivanov me mosdekretimin shkel Kushtetutën. VMRO, qëllim të vetëm pengimin e Ligjit për gjuhët
15.03.2018 14:43
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, refuzimin që ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve nga presidenti Ivanov...

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, refuzimin që ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve nga presidenti Ivanov e cilëson shkelje të dispozitave kushtetuese të nenit 75.
Duke mos dashur të komentojë më shumë për atë se çfarë mund të ndodhë nëse presidenti nuk e nënshkruan dekretin e ligjit, kreu i Kuvendit tha që sipas nenit 75 të Kushtetutës, pas rivotimit të ligjit me shumicë të votave, presidenti i shtetit është i obliguar që ta dekretojë të njëjtin.
Sipas Xhaferit, ligji mori votat e nevojshme edhe gjatë votimit të parë, dhe tani pas rivotimit të djeshëm mbetet të respektohet obligimi ligjor, implementimi i ligjit.
“Neni 75 i Kushtetutës është i qartë, pas rivotimit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend, presidenti i shtetit është i obliguar ta dekretojë ligjin. Presidenti Ivanov në këtë rast bën shkelje të dispozitave ligjore të Kushtetutës. Mendoj që është e qartë dispozita e ligjit 75 e Kushtetutës, e cila përcakton qartë që edhe ligjet që votohen me 2 të tretat e votave, presidenti është i obliguar që t’i dekretojë dhe nuk mundet që të vendosë veto. Kur ligji, në këtë rast ai i gjuhëve, votohet për herë të dytë nga deputetët, i njëjti duhet të mbështetet me votë sipas Kushtetutës nga shumica e dyfishtë e deputetëve, që në rastin në fjalë ligji mori mbështetjen e nevojshme të votave”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, tha se bojkoti i VMRO-së në punën e Kuvendit aspak nuk ka të bëjë me respektimin i procedurave për miratimin e ndonjë ligji, kjo është rezultat i vendimit politik të tyre në shenjë solidarizimi me deputetët që janë në paraburgim.
Prania e djeshme e VMRO-së në parlament, sipas kreut të legjislativit, ka pasur qëllim pengimin e miratimit të Ligjit për gjuhët.
“Nëse i ndiqni deklaratat e tyre, vendimi i tyre politik u mbështet ekskluzivisht në arsyen e solidarizimit me deputetët që janë në paraburgim dhe ardhja e tyre në Kuvend është për shkak. siç kanë thënë edhe vetë, vetëm e vetëm ta pengojnë miratimin e Ligjit për gjuhet. Në këtë kontekst konsideroj se shkaku për largimin e tyre nga Kuvendi nuk është respektimi i procedurave për miratimin e ndonjë ligji, por vetëm solidarizimi me deputetët e kësaj partie që janë në paraburgim. Opozita edhe vetë dje tregoi se nuk e kanë ndërmend që të pengojnë proceset reformuese të shtetit, por qëllimi i tyre është vetëm pengimi i miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve”,- tha më pas Xhaferi.
Kreu i Kuvendit nuk deshi të komentojë për veprimin e deputetëve të opozitës gjatë seancës së djeshme, madje i vlerëson si të pabaza deklarimet e VMRO-së për shkelje të procedurave gjatë miratimit të Ligjit për gjuhët.
Xhaferi tha se gjatë miratimit të ligjit në fjalë nuk ka bërë asnjë shkelje procedurale dhe se gjithçka ka shkuar sipas procedurës dhe konform Rregullores së Kuvendit.
MERITA GASHI
