Maqedoni

Rasti i “Almirit”, rikualifikohet lënda, Iliq në liri pa masa kujdesi

15.03.2018 15:13

Rikualifikimi i lëndës së rastit të Almirit dhe heqja e paraburgimit për Boban Iliqin janë epilogu i seancës së sotme gjyqësore...

Rikualifikimi i lëndës së rastit të Almirit dhe heqja e paraburgimit për Boban Iliqin janë epilogu i seancës së sotme gjyqësore në të cilën u dha fjala përfundimtare e prokurores, Suzana Kusigerska.  
 
Prokurorja Kusigerska ka kërkuar rikualifikim të veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurive në komunikacion”. Andaj, në bazë të Nenit 300, Paragrafi 2, gjyqi është i obliguar që ta pranojë kërkesën e Prokurorisë. 
 
Ndërkohë që prokurorja Kusigerska për Sedat Aliun dhe Sami Demirin kërkoi të dënohen për dhunë. Mbrojtja e Boban Iliqit kërkoi ndërprerjen e paraburgimit të tij, kërkesë kjo që pranohet nga ana e gjykatës e cila madje nuk i cakton as masa kujdesi.
 
Avokatët mbrojtës u shprehën të pakënaqur nga epilogu i këtillë duke theksuar se në një vendim të këtillë për rikualifikim kanë paralajmëruar tërë kohën.
 
“Për fat të keq e patë edhe vet, gjithë atë që e kemi thënë gjatë një viti e gjysmë ndodhi në shqyrtimin e sotëm kryesor. Unë do të them dy punë. Prokuroria për fat të keq nuk e dha provimin për atë që thuhet “ndjekje e kryerësit të veprës së rëndë penale”. Në rastin konkret, edhe përkundër posedimit të materialeve konkrete të dëshmisë, Prokuroria bëri përshkrim komplet të ri dhe rikualifikim të veprës penale nga hera e parë kur ishte serioze. Mund të them se gjyqi i vetëm i cili mundet të gjykojë për një rikualifikim të këtillë është Gjyqi i opinionit dhe gjithsesi ua lëmë organeve që pas heqjes së sotme të paraburgimit  të Boban Iliqit nga ana e gjyqit të vendosë se çfarë dënimi në të ardhmen do t’i shqiptojë të akuzuarit”,- tha avokati mbrojtës i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
 
“Pas fjalës përfundim
tare të dhënë nga ana e prokurores, padyshim që u desh të reagojmë që në pjesë të përshkrimit që bëri ndryshimin e plotësishëm të veprës që ka ndodhur në disa pjesë ishte e saktë e në disa ishte në tërësi në kundërshtim me provat materiale që u nxorën gjatë seancës kryesore, në përputhje me përshkrimin e gabuar që tentoi prokurorja t’ia impononte gjykatës, rrjedh edhe vendimi i saj i gabuar për të rikualifikuar veprën në këtë bazë, unë i shfaqa edhe vërejtjet e mija të cilat u bazuan në provat materiale që u nxorën  në seancat deri më tani dhe tani mbetet të shohim se gjyqi çka do të vendosë në bazë të rikualifikimit të veprës së saj dhe a do t’i marrë për bazë vërejtjet që ne i dhamë sot”,- tha avokati mbrojtës i familjes Aliu, Ibrahim Bajrami.  
 
Edhe avokati mbrojtës i Boban Iliqit shprehet i pakënaqur me vendimin e prokurorisë, pasi që ka pritur tërheqjen e ndjekjes penale ndaj Iliqit.
 
“Nuk jam i kënaqur me vendimin e prokurores, sepse prisja që të tërhiqet nga ndjekja penale. Më vjen keq që prokurorja ka injoruar një moment të rëndësishëm, se e drejtë universale e çdo njeriu është që të mbrohet kur të jetë i sulmuar”,- u shpreh avokati mbrojtjes i Boban Iliqit, Stevan Pavleski.  
 
Nga Prokuroria Themelore e Kumanovës thonë se deri te rikualifikimi i lëndës ka ardhur pas grumbullimit të dëshmive të reja.
 
“Në momentin e sjelljes së aktit të akuzës nuk kishin arritur dy ekspertiza, ajo neuropsikiatrike dhe ajo e kontrollit teknik dhe komunikacionit, të cilat janë dëshmi kyçe për verifikimin e gjendjes faktike. Prokurorja përkatëse publike, duke i shqyrtuar faktet e reja nga dëshmitë dhe në korelacion me dëshmitë e tjera, ka vlerësuar se në veprimet e të akuzuarit janë plotësuar elementet esenciale nga vepra penale për të cilën ka bërë rikualifikim në fjalën përfundimtare”,- theksoi zëdhënësja e PThP – Kumanovë, Elizabeta Nedanovska.
 
Seancën e sotëm e përcollën edhe përfaqësues të Iniciativës qytetare “Drejtësi për Almirit”.
 
“Sot ishim të gjithë dëshmitarë se si një vrasës gjykata dhe prokuroria bashkë e lanë në liri, ky ishte një zhvillim total që në këtë shtet akoma jemi larg nga drejtësia, në vend që prokuroria të ishte në anën e drejtësisë dhe të mbronte Almirin e vogël, prokuroria sot u bë avokat i djallit, i vrasësit, Boban Iliq. Kjo është një shëmti që akoma vazhdon në këtë shtet ku drejtësia është një kancer i kësaj shoqërie”,- tha Ngadhnjim Mehmeti nga Iniciativa Qytetare “Drejtësi për Almirin”.
 
Seanca e radhës është caktuar për më 2 prill. 
 
NEXHAT AQIFI