Maqedoni
Speciale e ditës: Ligji për shqipen, fitore historike për shqiptarët
15.03.2018 16:17
17 vite pas Luftës për më shumë të drejta të shqiptarëve të Maqedonisë...

17 vite pas Luftës për më shumë të drejta të shqiptarëve të Maqedonisë, pas shumë vitesh sakrifica dhe përpjekje për zyrtarizmin e gjuhës shqipe, ëndrra e të gjithëve më në fund u bë realitet.
Në Maqedoni përfundimisht gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare dhe shqiptarët, populli i dytë shumicë në shtet, marrin statusin e merituar prej para shumë vitesh.
Ashtu si lufta e UÇK-së bënte dallimin në Maqedoni, para dhe pas 2001-shit, ashtu edhe Ligji i gjuhës do të bëjë diferencimin e shtetit para dhe pas 2018-s. Ju ftojmë të ndiqni në vazhdim specialen e ditës nga gazetarja e Radio “Shkupit”, Laura Papraniku.
“Ligji për gjuhën shqipe, fitore historike për shqiptarët”,- deklaroi gazetarja e Radio “Shkupit”, Laura Papraniku.
Nuk kanë kaluar as 24 orë që kur Paralamenti nxori Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe si asnjëherë më parë kjo ditë na fton për pak më shumë reflektim dhe përgjegjësi për atë se si duhet të sillemi përballë kësaj fitore historike.
Është momenti i munguar prej vitit 1908, kur në qytetin e Manastirit u soll vendimi për përdorimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe, kur intelektualë dhe patriotë të kohës vunë në zbatim parimin 1 komb - 1 gjuhë dhe kur të unifikuar rreth një qëllimi i hapën rrugë formimit të shtetit shqiptar.
Zyrtarizimi i shqipes është padyshim amaneti i brezave, i albanologëve që nënshkruan në Tiranën e 1974-s Deklaratën për përdorimin e Gjuhës Letrare Shqipe.
Por, edhe para kësaj, është amaneti i gjithë atyre mësuesve, gazetarëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve të cilët e mbështetën standartin e gjuhës menjëherë pasi në vitin 1972 ishte nxjerrë Konsulta e Prishtinës.
Ende më këmbëngulës jehonte ky amanet me themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994, me Universitetin e Europës Juglindindore në vitin 2001 dhe sipas rradhës me Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup në vitin 2016.
Sot, dje dhe disa muaj me rradhë që kur në Parlamentin e RM-së përplasen forcat mes atyre që kanë kuptuar se integrimi i vendit kalon përmes të drejtave themelore të shqiptarëve dhe të tjerëve që me politika obskurantiste dëshirojnë të mbajnë vendin ende në vorbulën e tensioneve ndëretnike, nuk kishte ngjarje me peshë më të madhe historike se kjo e gjuhës shqipe.
Sytë e të gjithëve janë kthyer sot drejt Maqedonisë, shtetit të brishtë multietnik, 14 marsit të vitit 2018, nuk ishte dhe nuk mund të jetë një ditë si gjithë të tjerat.
Nuk ishte i rëndomtë as 17 vjet më parë, kur nga Malësia e Tetovës pikërisht në 14 mars Ushtria Çlirimtare Kombëtare lëshoi kushtrimin e lirisë. Që nga lashtësia, për asnjë vit, 14 marsi nuk ka qenë dhe nuk ka si të jetë një ditë e rëndomtë.
Paraardhësit tanë (ilirët dhe pellazgët) e caktuan këtë datë si ditën kur jeta në tokë kalon nga dimri në verë, kur gjithçka del nga kaosi për t’u nënshtruar rregullave të harmonisë, kur në tokë rilind jeta e bashkë me to - vit pas viti e brez pas brezi ripërtërihet kombi dhe në çdo rilindje del më i fortë dhe më vigjilent. Doli që paraardhësit tanë nuk kishin gabuar aspak në caktimin e 14 marsit si ditë me shenjë.
Pas shumë përpjekjesh, luftërash guerile dhe politike, në jetën e shqiptarëve vjen edhe një 14 mars historik, ky i 2018-s, kur në Parlament me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim (me bojkotimin e VMRO – DPMNE-së) u votua Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe.
Shqiptarët e Maqedoni janë përfundimisht të barabartë me shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, respektivisht realizimit në një të drejtë kolektive për të cilën kanë derdhur shumë gjak, janë mbushur shumë burgje dhe janë shpenzuar shumë kredi politike.
Është në përgjegjësinë e të gjithëve të dëshmojmë se nuk do të shkojnë dëm të gjitha ato sakrifica, të zotohemi të përdorim bukur dhe shqip çdo fjalë të kësaj gjuhe, të shmangim barbarizmat dhe ndikimet e huaja, ta ruajmë të bukur dhe të pastër gjuhën tonë - ashtu siç e trashëguam nga të parët, ashtu siç na e mësuan nënat tona! 14 marsin duhet ta ruajmë si një ogur të mirë të historisë.
Gjuha dhe kombi janë një dhe askush tjetër më tepër se shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë të nevojshme ta ruajnë këtë parim dhe ta trashëgojnë atë si vlerën sublime të identitetit tonë kombëtar.
LAURA PAPRANIKU
