Maqedoni
Ligji për përdorimin e gjuhëve, Zaev: në përputhje me Kushtetutën; Osmani: ligji u soll, Ivanov i obliguar ta dekretojë
15.03.2018 16:34
Ligji për përdorimin e gjuhëve është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe amendamentin e pestë...

Ligji për përdorimin e gjuhëve është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe amendamentin e pestë, deklaroi kryeministri Zaev.
Sipas tij, askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën. Maqedonisë nuk i ndihmojnë politikat nacionaliste, por politikat që janë të orientuara drejt civilizimit dhe vlerave europiane, vlerëson Zaev.
“Me avancimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve nuk humbet askush, por përmirësohen kushtet për komunikim të ndërsjellë mes qytetarëve dhe institucioneve. Tani është koha për hedhje poshtë të politikave të ndarjes, përçarjeve dhe konflikteve të cilat janë në kundërshtim me vlerat tona dhe vlerat europiane. Detyrat dhe përgjegjësitë tona duhet të jenë interesat e gjithë qytetarëve pa dallime. Nuk ka arsyetim të logjikshëm me bllokimin e proceseve politike dhe institucioneve politike siç është Kuvendi”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe zëvendëskryeministri Osmani theksoi se gjatë sjelljes së ligjit aspak nuk është shkelur Kushtetuta dhe janë respektuar të gjitha procedurat.
“Absolutisht, duke mos e shkelur asnjë procedurë për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në herën e tretë u miratua ligji dhe shpreh kënaqësi që Maqedonia përfundoi një kapitull shumë të rëndësishëm të historisë së saj dhe sot më shumë se kurdoherë është unifikuar, unanimisht dhe të përbashkët në sfidat e veta për hapërimin drejt BE-së dhe NATO-s. Ligji është sjellë, presidenti është i obliguar që sipas nenit 75 nga Kushtetuta, ta nënshkruajë”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Presidenti Ivanov e bëri edhe një herë të qartë se nuk do ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa VMRO paralajmëroi ta kontestojë të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese, madje paralajmëroi edhe padi penale për kreun e kuvendit, Talat Xhaferin.
ERSAN PAJAZITI
