Maqedoni

Ndotja e ajrit në Tetovë, mjekët: masa urgjente për faktorët e ndotjes; “Eco Guerilla”: ndihmë për këdo që ngre padi për ndotësit

15.03.2018 16:55

Tetova pa “Jugohromin” është më pak e ndotur edhe pse në nivel vjetor grimcat PM 10 ende vazhdojnë të arrijnë në 61...

Mjekët thonë se ndotja ka rritur numrin e sëmundjeve e kjo gjendje do të trashëgohet edhe në 10 vitet e ardhshme.
 
Dikush duhet të marrë përgjegjësi, thonë mjekët, duke u apeluar autoriteteve që njëkohësisht të ndërpresin burimet e ndotjes. 
 
“Në qoftë se flasim për persona përgjegjës, qofshin institucionet apo çfarë do qoftë, afatshkurtër, duhet të ndërpritet funksionimi i cili është ndotës, qofshin ato industri, qofshin markat e vozitjes etj. Afatgjatë është që ky rreth të dëmshpërblehet”,- tha mjeku, Naser Durmishi.
 
Nga “Eko Guerilla” ftojnë të gjithë ata që duan të ngrenë padi ndaj çdokujt që ndot ajrin, të kërkojnë ndihmë tek ata që të luftojnë bashkërisht për të dënuar përgjegjësit për atë që e cilësuan “gjenocid”, që u është bërë tetovarëve viteve të fundit.
 
“Kemi një avokate mjedisore e cila do sqarojë procedurat se në çfarë mënyre do të ngrihen paditë civile, kallëzime penale kundër ndotësve, kundër institucioneve, kundër komunës, qeverisë, pavarësisht kë qytetarët do ta konsiderojnë për fajtorë”,- u shpreh Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
 
Këto komente u bënë në panel diskutimin e organizuar nga “Eko Guerilla” dhe Universiteti i Tetovës me temë “Mdotja dëmton rëndë shëndetin, kërkoni dëmshpërblim!”.
 
VISAR SADIKI