Maqedoni

Sela, Gashi e Muhiq: e votuam ligjin, nuk na regjistroi sistemi

15.03.2018 18:25

Të gjithë deputetët shqiptarë, të pranishëm në sallë më 14 mars, kanë votuar pro Ligjit për përdorimin e gjuhëve...

Të gjithë deputetët shqiptarë, të pranishëm në sallë më 14 mars, kanë votuar pro Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përfshirë edhe deputetët, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët u akuzuan në opinion se kanë qenë kundër ligjit.
 
Ata thonë se kanë votuar edhe në mënyrë elektronike edhe më pas me ngritjen e dorës, por vota e tyre nuk është regjistruar në sistem. Dëshmi e qartë për votimin pro ligjin janë pamjet televizive që tregojnë dorën e ngritur të dy deputetëve shqiptarë.
 
Sela dhe Gashi kanë përshëndetur miratimin e ligjit, i cili mundëson gjuhës shqipe të përdoret në komunikim në të gjitha nivelet e organeve shtetërore dhe shpresojnë në zbatimin e plotë të tij.
 
“Ne kemi votuar për edhe në votimin elektronik edhe në votimin në shumicë të cilësuar me bandenter me ngritjen e dorës dhe për këtë ju si gazetar i keni të gjitha mundësitë që këtë ta vërtetoni. Kam bërë kërkesë tek shërbimet e parlamentit që të na japin incizimet në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur dje”,- u shpreh kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela.
 
“Vullneti politik i imi personal dhe i partisë që unë përfaqësoj, Lëvizjes Besa, ka qenë në vazhdimësi për miratimin e këtij ligji dhe nuk ka asnjë mënyrë si ky vullnet të jetë më ndryshe. Ne këtë vullnet dhe unë personalisht e kam shprehur, edhe publikisht, edhe në parlament, edhe gjatë leximit të parë dhe gjatë leximit të dytë, dhe dje gjithashtu gjatë votimit elektronik, por për shkaqe teknike kjo nuk është regjistruar. Fatmirësisht, 1 minutë më vonë është votuar me badenter dhe me ngritje dore është konstatuar edhe fizikisht se kemi votuar”,- theksoi kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
 
Në stenogramet e dala dje nga Kuvendi shihet se nuk ka votuar as deputeti i LSDM-së, Ferid Muhiq, por edhe ai ia hedh fajin sistemit dhe thotë se vota e tij është dhënë pro ligjit. 
 
“Kam votuar për Ligjin e gjuhëve, gjë që mund të vërtetohet dhe të shihet edhe në video-incizimet gjatë votimit të etniteteve joshumicë në Kuvend. Veç nuk jam shumë i sigurt se sa ky problem do të mund të përmirësohet në stengoramet e Kuvendit. Për këtë arsye tani dua të shpreh sigurinë time të plotë se ky ligj është kushtetues dhe për të mirën e gjithë qytetarëve të vendit”,- tha deputeti i LSDM-së, Ferid Muhiq.
 
Në votimin elektronik për Ligjin e gjuhëve numërohen votat e 64 deputetëve, të cilat u duhen shtuar edhe votat e tre deputetëve që ankohen se nuk janë regjistruar në sistem.
 
Gjithsesi, pamjet filmike dhe fotografitë, që tregojnë duart lart të këtyre deputetëve gjatë votimit me badenter, kur sistemi u prish tërësisht, janë të mjaftueshme për të treguar se Ligji për përdorimin e gjuhëve i ka votat e shumicës absolute të deputetëve në Parlament dhe të deputetëve të etniteteve joshumicë. 
 
REXHEP QAMILI