Maqedoni

“Tanku” dhe “Tarifa”, dëshmi të reja para trupit gjykues

15.03.2018 18:49

Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 ka vazhduar gjykimi për rastin “Tanku”, ku janë prezantuar dëshmi të reja për blerjen e makinës Mercedes...

Dëshmitarët thonë se nuk janë në dijeni se kush e ka përgatitur  dokumentacionin e tenderit për furnizime publike.
 
Dëshmitarja e parë e punësuar në MPB, Silvana Trpkova, para trupit gjykues tha se ka ekzistuar vetëm një ofertë për Mercedesin dhe se nuk mban mend më shumë detaje nga 2012. As dëshmitari, Ljube Peshevski, nuk kishte dijeni se kush qëndron pas përgatitjes së dokumentacionit për tenderin.
 
Ai vetëm sqaroi se ka qenë i pranishëm gjatë hapjes së tenderit si dhe gjatë leximit të ofertës.
 
Ndërsa dëshmitari i tretë, Mihajllo Zografski, tha se është përgjegjës vetëm për shitjen e makinave speciale, kurse për furnizimin në fjalë nuk ka informacione.
 
Seanca e radhës u caktua për më 21mars. Në Gjykatë Penale sot vazhdoi  edhe gjykimi për lëndën “Tarifa”, ku dëshmoi drejtori i Sektorit për Investime në ELEM, Igor Tërpevski.
 
Për lëndën “Tarifa” akuzohen tre persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë përgatitjes së tenderit për furnizim të paligjshëm në vlerë prej 4 milionë eurosh. Të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë.   
 
BELINDA KOKA ADEMI