Botë

Zënka e parë ShBA-Moskë për sulm kibernetik

16.03.2018 12:01

SHBA-të për herë të tretë akuzojnë Qeverinë ruse për një fushatë të vazhdueshme të sulmeve kibernetike...

SHBA-të për herë të tretë akuzojnë Qeverinë ruse për një fushatë të vazhdueshme të sulmeve kibernetike, për të cilën kanë thënë se është duke shënjestruar rrjetin e energjisë, sistemin e ujit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës.

Ky njoftim i sigurisë amerikane është publikuar më 15 mars, derisa në të thuhet se hakerët e Qeverisë ruse janë duke synuar që të ndërhyjnë në disa sektorë për të cilët konsumatorët amerikanë kanë nevojë çdo ditë.

Industritë e sulmuara nga marsi i vitit 2016 përfshijnë energjinë, sistemin bërthamor, ujin, aviacionin dhe fushën e prodhimit, është thënë në njoftim.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se besojnë që ushtria ruse ka kryer sulmet kibernetike me virusin “NotPetya” në qershor të vitit 2017, i cili ka shkaktuar dëmet më të mëdha financiare në historinë e biznesit global.

Virusi “NotPetya” është shpërndarë në gjithë botën, duke paralizuar punën e shumë pajisjeve kompjuterike.