Botë

Uashington, vazhdojnë shkarkimet në administratën Trump

16.03.2018 13:01

Vala e shkarkimeve në Uashington duket se nuk ka përfunduar. Donald Trump është i vendosur, sipas raporteve më të fundit...

Vala e shkarkimeve në Uashington duket se nuk ka përfunduar. Donald Trump është i vendosur, sipas raporteve më të fundit, që të largojë këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare, McMaster, e të gjejë një zëvendësues përpara takimeve me Korenë e Veriut, në muajin maj.
 
Lajmin e dha fillimisht gazeta “Washington Post” dhe më pas u konfirmua edhe nga rrjeti CNN.
 
Sipas “Washington Post”, presidenti e ka marrë tashmë vendimin dhe ka filluar të kërkojë për kandidatë të mundshëm për zëvendësimin e tij.
 
Trumpi, thotë ajo, është i bindur ta largojë gjeneralin McMaster, me të cilin nuk ka pasur marrëdhënie të mira, por nuk do të nxitojë në shpalljen e vendimit për të mos e vënë në pozitë ushtarakun e lartë me tre yje dhe për të gjetur një kandidat të fortë për zëvendësimin e tij.
 
Dy prej emrave të mundshëm që citon gazeta janë John Bolton - ish-ambasador në OKB dhe Keith Kellogg - shefi i tanishëm i personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
 
Duke folur me gazetarët, ditën e djeshme, presidenti Trump la të kuptohej se priten ndryshime të tjera: “Gjithmonë do të ketë ndryshime. Besoj se edhe ju doni të shihni ndryshime. Unë vetë dua të shoh mendime të ndryshme”.