Botë
Protesta në Madrid pas vdekjes së një emigranti
16.03.2018 13:46
Emigrantët janë përleshur me policinë spanjolle në Madrid, pas vdekjes së një shitësi rruge nga Senegali...

Emigrantët janë përleshur me policinë spanjolle në Madrid, pas vdekjes së një shitësi rruge nga Senegali, që sipas tyre ishte ndjekur nga oficerët.
Protestuesit i vunë zjarrin një motoçiklete dhe koshave të mbeturinave e qëlluan me gurë, në ngjarjen e ndodhur në Lavapies, periferi e Madridit.
Shërbimet e emergjencave thanë se, Mmame Mbage, rreth të 30-ave, ishte gjetur pa ndjenja dhe vdiq si pasojë e një ataku kardiak. “Të paktën 19 vetë u plagosën në përleshjet që pasuan, – thanë zyrtarët. – 10 oficerë policie po ashtu u lënduan”.
Përleshjet zgjatën nga ora 21 e mbrëmjes deri në orën 1:30 pas mesnate, duke u përhapur nga rruga në rrugë. Stacionet e autobusëve dhe disa degë bankash u dëmtuan.
Protestuesit thonë se Mbage kishte ardhur në Spanjë me barkë, 12 vite më parë. Ai raportohet se punonte si një shitës i paligjshëm, në rrugë, dhe i dërgonte para familjes së tij.
Policia kishte tentuar ta kapte, ndërsa ai kishte tentuar të largohej, derisa në përfundim ai kishte rënë pa ndjenja. “Gjashtë persona u arrestuan në protesta”, tha një zëdhënës i policisë së Madridit.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Madridit tha se qyteti do të hetonte ngjarjen dhe do të reagonte sipas ligjit./Top Channel
