Maqedoni

Rasti “Almiri”, prokurorët shqiptarë kundër rikualifikimit të veprës. Alispahiq: për seancat e ardhshme gjyqësore kërkojmë monitorim ndërkombëtar. Alispahiq: kërkojmë dënim maksimal për Boban Iliqin

16.03.2018 16:00

Prokurorët shqiptarë në Prokurorinë Republikane, Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta..

Prokurorët shqiptarë në Prokurorinë Republikane, Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta distancohen nga qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme Publike rreth rikualifikimit të veprës në rastin e Almir Aliut nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.
 
Në reagimin me shkrim të prokurorëve shqiptarë thuhet se me rikualifikimin e veprës janë bërë shkelje të rënda, veprime këto të cilat nuk i mbështesin katër prokurorët e lartpërmendur.                                                                                                                                                                                                                                                   
“Ne prokurorët pranë Prokurorisë Republikane të RM-së, që nga fillimi i shqyrtimit të këtij rasti në Prokurorinë Republikane kemi pasur qëndrim dhe akoma mbetemi të këtij qëndrimi se aktakuza nr. KO 697/16 prej 19.12.2016 e Prokurorisë Themelore të Kumanovës ka korresponduar plotësisht me veprimet e të akuzuarit siç ka qenë fillimisht i akuzuar për “vrasje” e paraprirë në nenin 123, alineja 2, pika 3 e Kodit Penal të RM-së”,- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Republikane.
 
Këtë vlerësim profesional prokurorët shqiptarë ua kanë thënë edhe kolegëve të tyre edhe në mbledhje. 
 
Në ndërkohë, avokatët e familjes së Almir Aliut kërkojnë monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor me qëllim të anashkalimit të çdo mundësie për gjykim jo të drejtë.
 
Avokati, Asmir Alispahiq, është i mendimit se në fjalët përfundimtare dhe në shqiptimin e vendimit gjyqësor përfaqësues të lartë të ambasadave të huaja duhen të jenë prezentë në gjykatë.                       
                                                                                                               
“Unë si avokat i familjes Aliu, në periudhën që vjen në vazhdimësi, do të kërkoj monitorim ndërkombëtar në seancat e ardhshme gjyqësore ku do të prezantohen fjalët përfundimtare. Ky monitorim është i domosdoshëm, sepse kemi të bëjmë me një test të madh për gjyqësorin në vend”,- u shpreh avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
 
Alispahiq thotë se edhe pse rikualifikimi i kësaj lënde është në kundërshtim me provat materiale që i posedon mbrojtja, ai do të këmbëngul për dënimin maksimal ndaj të akuzuarit, Boban Iliq.       
                                            
“Unë vazhdoj të mendoj se veprimet e Boban Iliqit, që shihen edhe në video-incizimin, që janë të paraqitura si provë, ai duhet gjykuar për vrasje me paramendim, jo për aksident trafiku. Megjithëse rikualifikimi i lëndës tashmë e parasheh dënimin prej minimum 4 deri më 20 vjet dhe ne do të kërkojmë dënim maksimal ndaj të njëjtit”,- tha avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq. 
 
Me kërkesë të prokurores, Kusigerska, gjykata pranoi rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurive në komunikacion”.
 
Pas rikualifikimit të lëndës, Boban Iliqi u lirua nga paraburgimi, ndërsa seancat gjyqësore për fjalët përfundimtare për këtë rast janë caktuar më 2 dhe 4 prill.
 
REXHEP QAMILI