Maqedoni
Agjencia Kombëtare për Mobilitet dhe “Legis”: parandalim të ksenofobisë ndaj refugjatëve
16.03.2018 16:23
Migrimi masiv i refugjatëve nga Afganistani por edhe vende tjera ka ndikuar që tek popullata vendase të shfaqet ksenofobia, islamofobia dhe racizmi...

Këto janë rezultatet e hulumtimit të bërë nga Agjencia kombëtare për programe europiane për arsim dhe mobilitet dhe Shoqata “Legis”, të cilët për të parandaluar këto perceptime organizuan trajnime me të rinj nga Gjevgjelia dhe Tabanovci.
Këto trajnime kishin për qëllim që të rinjtë të njihen për së afërmi me refugjatët, t’u sqarohen problemet e tyre dhe të parandalohen paragjykimet për ta.
“Së bashku në punëtori me refugjatët që janë vendosur në kampe, të rinjtë u trajnuan që të këmbehen ide me të cilat do sqarohen problemet me pranimin e dallimeve, të veprohet në mënyrë preventive, të parandalohet ksenofobia, islamofobia dhe radikalizmi”,- deklaroi Jovica Mitevski nga Agjencia Kombëtare për Mobilitet.
“Pritjet nga ky projekt janë që të ndikohet në politikat europiane për përmirësimin e vetëdijes tek të rinjtë dhe idetë që do parashtrohen të implementohen në praktikë”,- u shpreh Jasmin Rexhepi nga Shoqata “Legis”.
Të rinjve pjesëmarrës në këtë projekt iu ndanë certifikata, ndërsa projekti u financua nga BE-ja.
FLUTURA LATIFI
