Maqedoni

Qeveria, thirrje publike për grande nga sfera e turizmit

16.03.2018 16:38

Me grande në vlerë të 18 milionë eurove, përmes programit IPA2 të BE-së dhe përkrahjes së qeverisë me 3.2 milionë euro...

Me grande në vlerë të 18 milionë eurove, përmes programit IPA2 të BE-së dhe përkrahjes së qeverisë me 3.2 milionë euro synohet përmirësimi dhe zhvillimi i turizmit vendor.
 
Në qeveri u bë publike thirrja e dytë për ndarjen e grandeve në të cilën mund të konkurrojnë komunat për investime infrastrukturore, organizatat nga sektori turistik, institucionet arsimore dhe qendrat për trajnim, si dhe ndërmarrjet lokale të vogla dhe mikro nga fusha e turizmit.
 
“Për komunat do të ketë grande deri në 1 milionë euro, apo 3 milionë euro nëse kanë qasje rajonale. Pra, këto mjete do të jenë 90% grande dhe duhet të sigurojnë 10% mjete të tyre. Për OJQ-të e sektorit të turizmit do të ketë 50 mijë euro për një kërkues, ndërsa në qoftë se projekti realizohet nga ana e shumë shoqatave, ato do të marrin 150 mijë euro”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
“Me implementimin e këtij projekti do të japim shanse për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës dhe përgjithësisht për të pasur ambient më të mirë. Pres që gjatë 18 muajve të ardhshëm komunat përmes projekteve të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm”,- tha drejtuesi i sektorit për bashkëpunim me BE-në, Nikolla Bertolini.
 
Shpallja do të jetë e hapur deri më 30 prill të këtij viti. Zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se prioritet do të kenë komunat të cilat veç më kanë projekte të përbashkëta, ndërsa për ato të cilat nuk kanë përgatitur dokumentacion projektues, është parashikuar ndihmë teknike që t’i përgatisin projektet.
 
ERSAN PAJAZITI