Maqedoni

Miratimi i Ligjit për gjuhët; Zaev: mosdekretimi i ligjit, mundësi për probleme; Gruevski: desha të mbroj sundimin e ligjit

16.03.2018 17:17

Vendimi i presidentit Ivanov që për herë të dytë mos ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përbën shkelje flagrante të Kushtetutës...

Kryeministri, Zoran Zaev, i bën thirrje presidentit që të dekretojë ligjin dhe të mundësojë jetësimin e një të drejte të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike të parapara më Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit.
 
Sipas tij, mosdekretimi nga ana e presidentit është akt qyqar, i cili krijon mundësi për probleme të llojllojshme, prandaj kërkoi nga institucionet kompetente që të shqyrtojnë shkeljet e presidentit.
 
“Më vjen keq që kryetari i shtetit vendosi që të mos e respektojë Kushtetutën dhe njoftoi se edhe pas votimit të dytë nuk do ta nënshkruajë ligjin. Ky veprim është shkelje flagrante e Kushtetutës së RM-së dhe gjithsesi institucionet nuk kanë të drejtë të lejojnë që kjo të ndodh. Por, kjo është edhe sjellje qyqare. Të mos lejosh që ligji të jetësohet!? Me jetësimin e ligjit, përfundimisht do të realizojmë obligimin e fundit juridik të MO-së dhe të gjithë do të shohin se nuk do të ketë as agjendë të Tiranës në Maqedoni dhe as Shqipëri të 17 në Maqedoni dhe se s’do të ndodh asgjë që do të dëmtojë të ardhmen e saj të përbashkët”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev konsideron se ligji duhet të dekretohet dhe t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për shqyrtim. 
 
Në ndërkohë, ish kryetari i VMRO-DPMNE-së, deputeti, Nikolla Gruevski, i cili ndiqet penalisht për keqpërdorim të pushtetit, e arsyetoi veprimin e tij në Kuvend si përpjekje për të mbrojtur Rregulloren dhe sundimin e ligjit.
 
“Nuk kishim qëllim që të dëshmohemi historikisht para gjeneratave të ardhshme, por të pengojmë miratimin e ligjit në mënyrë joligjore dhe jashtë rregullores. Ne jemi deputetë dhe duhet të kujdesemi që çdo gjë të jetë e ligjshme. Nuk mundet Parlamenti që miraton ligjet të mos i respektojë ato”,- tha deputeti, Nikolla Gruevski.
 
Edhe presidenti i Republikës, i cili vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe vazhdon të jetë në një vijë me qëndrimet e partisë amë, e cilësoi ligjin si antikushtetues, ndërsa miratimin e tij si precedencë.
 
“Kushtetuta dhe ndërgjegjja nuk më lejon të vë nënshkrimin mbi dekretin për shpalljen e një ligji të tillë”,- u nxitua të deklarojë Ivanov, sapo u miratua Ligji për përdorimin e gjuhëve për herë të dytë. 
 
SHPËTIM NUREDINI