Maqedoni
Kryeministri Zaev paralajmëron ndryshime në qeveri: do të negociojmë me opozitën, por jo me VMRO-në
16.03.2018 17:42
Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi rekonstruimin e qeverisë dhe rritjen e shumicës parlamentare...

Ndryshimet në kabinetin qeverisës, tha Zaev, do të ndodhin mbi bazën e marrëveshjeve me partitë politike.
Në këtë drejtim, ai tha se do të negociojë me të gjitha partitë politike, përveç me VMRO-DPMNE-në.
“Absolutisht do të negociojmë me të gjithë që kanë për qëllim të mbështesin konceptin e një shoqërie për të gjithë, ata të cilët u përmbahen vlerave të kësaj shumice qeverisëse, duke përfshi edhe Ligjin për gjuhët, dhe me këtë është përcaktuar se në cilin drejtim do të ecim. Ata që nuk mbështesin konceptin e një shoqërie për të gjithë nuk mund të jenë pjesë e shumicës parlamentare. Ata që japin shans, vlen të negociohet me ta, sepse disa prej tyre edhe deri më tani ishin në opozitë, por u kanë dhënë shans vlerave që nënkuptojnë një shoqëri për të gjithë”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Ndryshimet e ligjit për partitë politike janë pjesë negociatave me opozitën që lidhen me pakon e ligjeve për reformat, theksoi Zaev.
Ai tha se punët kanë ecur për së mbari në këtë drejtim. Ndërkaq, me reformat në gjyqësor do të zgjidhet edhe statusi i Prokurorisë Speciale, nënvizoi Zaev.
NAIM RAMADANI
