Maqedoni
Rasti “TNT” - Janakievski, Trajkovski e Gruevski: “Kosmos” u shemb pasi ishte objekt pa leje, Canoski: objekti u ndërtua me leje, u shemb padrejtësisht
16.03.2018 17:01
“Kosmos” ishte një shembull klasik i ndërtimit të paligjshëm, ndërsa investitori disa herë e ka shkelur ligjin...

“Kosmos” ishte një shembull klasik i ndërtimit të paligjshëm, ndërsa investitori disa herë e ka shkelur ligjin deklaruan ish-ministri i transportit, Janakievski, ish-kreu i Gazibabës, Toni Trajkovski, dhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, në seancën e sotme për rastin "TNT".
Sipas tyre, me ndërtimin pa leje Canoski ka dashur të fitojë 1.2 milion euro, pasi pa leje e ka ndryshuar planin dhe ka ndërtuar vetëm 2 nga 3 parkingjet nëntokësore të planifikuara.
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, sërish përsëriti ankesën se PPS ndaj tij po bën përndjekje politike.
“Edhe një herë vërtetohet se bëhet fjalë për përndjekje politike ndaj meje. Atë që e potencova është se do të dëshmohet se kjo seancë gjyqësore si edhe të gjitha lëndët tjera të PPS-së kishin për qëllim rrëzimin e qeverisë të cilët e drejtoja. Gjyqtari na paralajmëroi se pas fjalive hyrëse do të vazhdohet me audio incizimet të cilat publiku i ka dëgjuar, por kryesorja është që të fitohet vëmendje, të kenë për çfarë të shkruajnë dh ta largojnë opinion nga problemet kryesore që i ka RM”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
Por, afaristi, Fiat Canoski, nga ana tjetër thotë se e ka ndërtuar sipas ligjit, por është i habitur nga deklaratat e mbrojtjes, e cila thotë se objekti u rrëzua për arsye së ishte më i lartë, ndërsa tani thonë se është ndërtuar më pak.
“Ata thonë se është ndërtuar një garazh më pak, ndërsa ne kemi video-incizimet ku i kanë rrëzuar tre garazhe ku thoshin se njeri ka qenë më i lartë për një metër e 43 cm, ndërsa tani thonë se ka një garazh parkingu më pak. Ata thonë se kemi ndërtuar pa leje, nuk është e vërtetë, ne kemi ndërtuar objekt i cili i ka pasur të gjitha dokumentet”,- tha investitori, Fiat Canoski.
Sipas prokurorisë, dëm është shkaktuar prej 16 milionë euro nga procedura e prishjes, ndërsa 3 milionë denarë shtesë nga buxheti i komunës së Gazi Babës.
Gjykimi do të vazhdojë më 5 prill kur duhet të dëgjohen edhe materialet e përgjuara.
GAZMEND KURTISHI
