BDI reagon për rastin e Almirit, dënon sjelljen e të akuzuarit, Boban Iliq
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar lidhur me epilogun e djeshëm gjyqësor për rastin e Almir Aliut...

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e sotme në Tetovë ka diskutuar edhe mbi rastin e procesit gjyqësor për vrasjen e vogëlushit Almir.
“Shprehim shqetësimin e thellë se në vetë radhët e prokuroreve ka pasur dallime sa i përket vendimit për të rikualifikuar veprën nga “vrasje” në vepër tjetër penale dhe kërkojmë adresim të menjëhershëm të shqetësimeve tona dhe të shoqërisë në përgjithësi. Në vazhdën e reformave te paralajmëruara për reformim të sistemit gjyqësor vlerësojmë se ky veprim nuk kontribuon në këtë drejtim pa mos dashur të përzihemi dhe prejudikojmë në mënyrën e leximit të fakteve. Gjithashtu dënojmë ashpër edhe sjelljen skandaloze dhe jonjerëzore që u pa dje nga vetë i akuzuari. BDI apelon publikisht deri tek organet gjyqësore që në frymën e interesave tona për integrim sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike të vendit, të aplikojnë çdo fjalë të ligjit me qëllim të përforcimit të rendit juridik dhe sundimit të së drejtës”,- thuhet në reagimin e kësaj partie.
