Maqedoni

“Besa” e Gashit: drejtësia në Maqedoni, sipas kritereve etnike

16.03.2018 19:17

Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi, përmes një komunikate ka kritikuar drejtësinë lidhur me rastin e Almir Aliut...

Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi, përmes një komunikate ka kritikuar drejtësinë lidhur me rastin e Almir Aliut.

“Përveç punësimeve të zyrtarëve shtetërorë, të cilët ende përzgjidhen sipas përkatësisë etnike, dje gjykata edhe një herë dëshmoi se në Maqedoni edhe drejtësia në funksionon sipas kritereve etnike. Kur bëhet fjalë për shqiptarët, gjykatat dinë të japin edhe dënime me burg të përjetshëm, madje edhe pa asnjë dëshmi, ndërsa kur bëhet fjalë për një vrasës fëmije, edhe pse ekzistojnë dëshmi dhe video ku shihet akti makabër, ai lirohet vetëm sepse është maqedonas. Prej pamjeve të djeshme gjatë lirimit të vrasësit të Almirit të vogël, ku vrasësi i kërcënohet me vdekje edhe gazetarit i cili po e bënte punën e tij, u pa që ai njeri është i rrezikshëm dhe ekziston mundësia për ta përsëritur veprën. Andaj, përveç që e gjykojmë si abuzim me drejtësinë lirimin e vrasësit të Almir Aliut si edhe mundësinë për ta rikualifikuar veprës, i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që sa më parë ta korrigjojë edhe vendimin skandaloz dhe këtë vrasës ta kthejë prapa grilave, aty ku edhe e ka vendin, sepse ai është njeri i rrezikshëm”,- theksojnë nga Lëvizja BESA.