Maqedoni
Shqipëri goditen grupet kriminale për migrim të paligjshëm
17.03.2018 15:21
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia shqiptare kanë finalizuar një superaksion duke goditur grupet te strukturuara kriminale...

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia shqiptare kanë finalizuar një superaksion duke goditur grupet te strukturuara kriminale që organizonin emigrim të paligjshëm drejt SHBA-së, Anglisë dhe Kanadasë përmes dokumenteve të falsifikuara, kundrejt pagesës 25 mijë dollarë.
Hetimet për aktivitetin kriminal në fjalë kanë nisur në që vitin 2017, dhe janë kryer në bashkëpunim me prokuroritë e disa shteteve si Maqedonia, Bullgaria dhe Austria. Sipas të dhënave mësohet se Prokuroria ka lëshuar 51 urdhër-arreste për persona të ndryshëm të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, nga të cilat policia ka ekzekutuar gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës 30 prej tyre.
Mes të ndaluarve janë edhe 4 efektivë të policisë të pikave të kalimit kufitarë të Qafë Thanës dhe Hanit të Hotit si dhe zyrtarë të ndryshëm. Po kështu, arrestime ka pasur edhe në shtete të tjera. Nga hetimet rezulton se grupi kriminal organizonte lëvizjen e personave që dëshironin të emigronin në SHBA, Kanada e Angli përmes agjencive turistike.
Kur këta shtetas mbërrinin në një vend evropian, aty pjesëtarë të tjerë të rrjetit të trafikut u siguronin një pasaportë të re për të vazhduar udhëtimin në destinacionin për të cilin kishin paguar.
