Maqedoni

Nikollovski: Punohet në zgjidhjen e çështjes së miellit serb

18.03.2018 15:35

Nuk ka asnjë problem, ajo që është dakorduar në Shkup po realizohet...

Maqedonia përmes Komitetit të Përzier punon në gjetjen e zgjidhjes së plotë dhe sistematike për importimin e miellit serb, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski.
 
"Tani për tani mbetet në fuqi vendimi për miellin nga një kilogramë, tre dhe pesë kilogramë, tiketat t’i ngjiten në Sërbi, kurse për dërgesat më të mëdha në Maqedoni, mbetet qëndrimi se tiketat gjithmonë, të hiqen nëse arrihet pajtueshmëri nga të dyja palët”, tha Ljupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.
 
Lidhur me deklaratën e  ministrit Rasim Ljajiq sipas së cilës Serbia do të vendosë kundërmasa nëse deri më 14 prill nuk gjen zgjidhje të përhershme për miellin, Nikollovski tha se  kjo çështje nuk gjen zgjidhje tanimë disa vite me radhë dhe për tejkalimin e tij është duke u biseduar për një kohë të gjatë.
 
“Edhe njëri prej konstatimeve të Komitetit të përzier është të kërkohet zgjidhje e përhershme dhe sistematike. Qëllimi është tejkalim përfundimtar i problemit, që të mos përsëritet çdo vit”, shtoi Nikollovski.
 
Ndërkohë nga Shoqata e bujqve thonë se Maqedonia me vite të tëra ka toleruar hyrjen e miellit të pa kontrolluar në vend, ndërsa kontroll nuk ka pasur edhe gjatë shitjes. Ata shprehen se problemin me miellin e Serbisë e bëjnë disa ndërmarrje që duan ta anashkalojnë ligjin dhe në mënyrë kriminele të realizojnë përfitim. 
 
“Ky është një presion nga kompanitë që punojnë në mënyrë joligjore. bëhet fjalë për kompani që duan ta anashkalojnë Ligjin, që nuk duan t’i paguajnë të gjitha kontributet dhe në një farë mënyre u bëjnë konkurrencë jolojale atyre që punojnë sipas kritereve. Disa e ruajnë miellin në depo me standard të caktuar, ndërsa të tjerët drejtpërdrejtë e ofrojnë nëpër fura ose e shesin me pakicë”, tha Eftin Shaklev, kryetar i asociacionit të bujqve.
 
Ministri Nikollovski tha se komiteti i cili relizoi takim në Beograd, në afat prej 30 ditësh duhet të dalë me propozime për zgjidhje të përhershme dhe sistematike, jo vetëm për miellin, por edhe për të gjitha barrierat e tjera jodoganore të cilat do ta zhvillonin këmbimin tregtar.
 
AMIR DURAKU