Botë

Rusi zgjedhje presidenciale, putini për mandat të katërt

18.03.2018 18:53

Rusët po votojnë në zgjedhjet ku pritet që Vladimir Putin, njeriu më dominant i dy dekadave të fundit, të fitojë mandatin e tij të katërt si president...

Mbi 100 milionë njerëz kanë të drejtë vote në Rusi, ku Putini pritet të konfirmohet për një tjetër periudhë gjashtëvjeçare duke mposhtur  kandidatët e tjerë. Në një prononcim për televizionin kombëtar rus pas votimit në Moskë, Putini u shpreh: “Do ta shoh si sukses çdo rezultat që “më jep të drejtën për të kryer detyrat si president”.
 
Përballë Putinit në garë është një komunist milioner, Pavel Grudinin, një ish-moderator televiziv, Ksenia Sobchak dhe nacionalisti veteran Vladimir Zhirinovsky. Lideri kryesor i opozitës, Alexei Navalny, është ndaluar që të kandidojë në zgjedhje, pasi akuzohet për mashtrim, akuza të cilat ai i ka cilësuar si të motivuara politikisht.
 
Në apelin drejtuar popullit Navalny u ka kërkuar votuesve të bojkotojnë zgjedhjet dhe ka dërguar me mijëra vëzhgues në qendrat zgjedhore për të pikasur dhunime të mundshme. 65-vjeçari Vladimir Putin ka sunduar në Rusi që prej vitit të largët 1999, si president apo kryeministër.
 
Plot 1700 parregullsi janë raportuar që në nisje të procesit zgjedhor nga grupi i pavarur i monitorimit të zgjedhjeve “Golos”. Disa nga parregullsitë e vëna re deri më tani janë gjetja e fletëve të votimit para nisjes së procesit, vëzhguesve u është ndaluar të hyjnë në qendrat e votimit, ndërkohë që ka dyshime edhe për votim të detyruar.