Botë

Presidencialet në Rusi, Putini i fitoi lehtësisht zgjedhjet

19.03.2018 12:30

Vladimir Putin do ta drejtojë Rusinë edhe për 6 vite të tjera pas fitores lehtësisht të parashikueshme në zgjedhjet presidenciale të së dielës...

Vladimir Putin do ta drejtojë Rusinë edhe për 6 vite të tjera pas fitores lehtësisht të parashikueshme në zgjedhjet presidenciale të së dielës, ku praktikisht nuk pati përballë asnjë kandidat serioz. Putin nuk e pati triumfin të vështirë. Njeriu që e sundon Rusinë prej 18 vitesh, qoftë si kryeministër e qoftë si president, e kishte pastruar terrenin që para zgjedhjeve.
 
Putin u përkujdes që liderit kryesor të opozitës, Alexei Navalny, t’ia ndalonte pjesëmarrjen në garë. Ish-agjenti i KGB-së çimentoi kështu postin e vet në Kremlin, me 76,6% të votave.
 
“Jemi të dënuar me suksesin”,- i tha ai turmës së simpatizantëve që festonte këtë moment së bashku me përvjetorin e aneksimit të Krimesë. I dyti u rëndit sipërmarrësi komunist, Pavel Grudinin, dhe i treti nacionalisti, Vladimir Zhirinovskij, dy kandidatë të nevojshëm për Kremlinin për t’i dhënë zgjedhjeve kredibilitet. Por, edhe përkundër analizave që i bën zgjedhjeve shtypi botëror për qytetarët rusë, zgjedhja e Putinit ishte e pritshme, pasi e kanë vlerësuar si kandidatin më serioz në këto zgjedhje. Gjithsesi, përqindja e votuesve që e kanë dhënë votën e tyre pro Putinit vjen kryesisht nga njerëzit më të moshuar. Të rinjtë kanë qenë të painteresuar për zgjedhjet. 
 
“U zgjodh presidenti im i preferuar. E gjithë familja ime votoi për të”,- theksoi banori i Moskës, Grigory Ivanov.
 
“Mendoj se ishte rezultat që pritej dhe unë jam e kënaqur me rezultatin. Të jem e sinqertë, nuk kishte ndonjë kandidat tjetër që ia vlente të votohej”,- tha banorja e Moskës, Svetlana Bukhankova.
 
“Mendoj se ishte e qartë që Putini ishte kandidati më me influencë në listë për zgjedhjet presidenciale”,- u shpreh banorja e Moskës, Nina Ryzhova.
 
“Rezultati ishte i parashikueshëm. Askush nuk priste ndonjë rezultat tjetër. Edhe pse u munduan të imponojnë emrat e tjerë, ishte e qartë se askush nuk mund ta fitonte Putinin. Është lideri më normal që kemi”,- deklaroi banorja e Moskës, Svetlana Sitilenkova.
 
Shtypi britanik flet për manipulime flagrante gjatë votimit në Ljubertsy, një komision zgjedhor është filmuar duke hedhur vota të plotësuara në kutinë e votimit. Në qendrën numër 1126, po në të njëjtin rajon, një grup personash krijuan trazira, në kohën kur një tjetër mbushte një kuti me vota të plotësuara më parë.
 
Dhjetëra shembuj të tjerë parregullsish u postuan online, por ato vështirë se mund të përbëjnë një shqetësim për Putinin. Të parët fitoren ia kanë uruar liderët e Kinës, Kazakistanit, Bjellorusisë, Venezuelës, Bolivisë dhe Kubës, ndërsa liderët e vendeve perëndimore janë përmbajtur deri tani nga urimet.  
 
DIELLZA MIFTARI - EMINI