Britania dhe BE-ja, marrëveshje për periudhën e tranzicionit
Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord për “një pjesë të madhe” të marrëveshjes që do të çojë në “largimin e rregullt” të Britanisë nga blloku...

Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, tha se dy palët janë pajtuar për një periudhë të tranzicionit, duke e quajtur atë një “hap vendimtar”. Ai i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me sekretarin e Britanisë për Brexit, David Davis.
Periudha e tranzicionit do të nisë nga dita e Brexit-it, më 29 mars 2019 dhe do të shtrojë rrugën për marrëdhënie të përhershme. Barnier tha se ka marrëveshje për të drejtat e qytetarëve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar dhe për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar në BE pas Brexit-it.
Të dyja palët shpresojnë se kushtet e marrëveshjes për periudhën e tranzicionit do të mund të nënshkruhen në një samit të BE-së këtë javë. Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimin Europian në referendumin e vitit 2016.
