Maqedoni
Remenski: Do t’i padisë kërcënuesit, VMRO në Karposh qëndron pas këtij grupimi. VMRO-DPMNE: Nuk qëndrojmë pas protestave
19.03.2018 16:33
Deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, paralajmëroi padi penale për protestuesit që kanë ofenduar dhe kërcënuan për jetë atë para shtëpisë së saj...

Remenski është e bindur se këto protesta i kanë organizuar disa anëtarë të degës së VMRO-DPMNE-së në Karposh dhe se të njëjtët nuk kanë të bëjnë me organizimin e protestave klasike për të shprehur revolt, por janë me qëllim të degradimit të saj. Remenski tha se ka siguruar edhe disa shkrime në rrjetet sociale ku disa individë përgatisnin grupime dhe parulla me përmbajtje ofenduese ndaj saj.
“Informatat dhe dëshmitë që i posedoj unë tregojnë qartë se pas organizimit të huliganizmit para shtëpisë time qëndron dega e VMRO-DPMNE-së në Karposh së bashku me një këshilltar aktual dhe njëherit kryetar dege të kësaj partie, ish-kryetar i degës dhe disa të punësuar tjerë në DAP. Vlerësoj se askush nuk do të lejojë më nxitje të sjelljes arbitrare”,- deklaroi deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Por, nga VMRO-DPMNE thanë se nuk qëndrojnë pas organizimit të protestave dhe degradohen nga ofendimet që u bëhen kundërshtarëve partiakë.
“Protestat që i shohim ditëve të fundit nuk janë asgjë e re. Ne kemi qenë dëshmitarë në të kaluarën kur edhe më brutalisht shprehej revolta e qytetarëve dhe e protestuesve. I mbaj mend protestat e organizuara para shtëpisë së ish-kryeministrit Gruevski dhe mesazhet me përmbajtje ofenduese ndaj tij, kështu që ne e respektojmë të drejtën për organizimin e protestave, por gjithmonë degradohemi nga gjuha e urrejtjes në to”,- tha Aleksandar Naçev nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, deklaroi se nuk do të lejojë fyerje dhe ofendime para fëmijëve të deputetëve. Zaevi u shpreh i gatshëm për t’i mbrojtur deri në maksimum të afërmit e deputetëve të tij.
“Protesta është e drejtë kushtetuese, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por nuk lejohen protesta para fëmijëve të familjeve të deputetëve, para të afërmëve të tyre, pasi që shkelet privatësia dhe nënçmohen personalitetet. Nuk do të lejojmë kjo të vazhdojë. MPB do të ndërmarrë masa adekuate kundër kërcënimeve. Por, dua të dini të gjithë se edhe unë personalisht do t’i mbroj fëmijët e deputetëve”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Për shkak të votimit të Ligjit për gjuhët, disa deputetë të LSDM-së ditëve të fundit janë fyer në rrjetet sociale dhe në protestat para shtëpive të tyre nga grupe të caktuara qytetarësh. Protestuesit e kanë ofenduan Remenskin duke e cilësuar atë si “tradhtare” e kombit maqedonas, madje dhe duke e kërcënuar për jetë, ndërsa një deputetes ia dogjën automjetin.
Protestat kundër gjuhës shqipe u mbajtën në Shkup, Manastir dhe në disa qytete tjera.
REXHEP QAMILI
