Maqedoni

Rasti i Sopotit, të akuzuarit shpallen të pafajshëm. Janeva: 11 sopotasit nuk e kanë kryer veprën

19.03.2018 17:10

Pas një procesi gjyqësor 15 vjeçar, 11 sopotasit që ishin akuzuar për vendosjen e lëndës shpërthyese...

Pas një procesi gjyqësor 15 vjeçar, 11 sopotasit që ishin akuzuar për vendosjen e lëndës shpërthyese nga shpërthimi i së cilës humbën jetën dy ushtarë të NATO-s dhe një përkthyes u shpallën edhe zyrtarisht të pafajshëm nga ana e Gjykatës Penale.
 
Ky vendim erdhi pas fjalës përfundimtare të kryeprokurores speciale, Katica Janeva, e cila tha se nuk ekzistojnë prova që e dëshmojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën “terrorizëm” për të cilën ngarkohen. Prokurorja speciale tha se dëshmi e vetme për këta të akuzuar ishte marrë deklarata e Ramadan Bajramit, i cili me torturë psiko-fizike është detyruar të japë deklaratë të rrejshme. 
 
“Pas analizës gjithëpërfshirëse të dëshmive në shqyrtimin kryesor, “bombat” që i kemi dëgjuar në lidhje me këtë lëndë dhe analizave që i kemi bërë gjatë procedurës parahetimore, vlerësuam se më e drejtë është që sot ta tërheqim akuzën, për shkak se nuk ka dëshmi se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale”,- deklaroi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Të liruarit ndjehen të kënaqur se më në fund doli në shesh e vërteta, por ata thanë se askush nuk mund t’ua kthejë vitet që i kanë humbur nëpër burgje dhe nuk ka dëmshpërblim që do të paguante vuajtjen dhe dhimbjet nëpër të cilat kaluan familjet e tyre gjatë gjithë këtyre viteve. 
 
“Me asgjë nuk mund të kompensohet kjo mungesë e jona, sepse na e kanë shkatërruar edhe familjen. Unë dhe Sulejman Sulejmani i kemi nga nëntë vite burg shtëpiak dhe shtatë vjet burg në Idrizovë dhe ato nuk paguhen me asgjë”,- theksoi Samet Lutfiu.
 
“Gëzim më të madh në botë, nuk di. Drejtësia erdhi në vend, krejt mirë ka shkuar, pak me vonesë, por u liruam dhe u rehatuam”,- theksoi Sulejman Sulejmani.
 
“Deshi Zoti, ranë këta njerëzit e mençur dhe doli në shesh rasti jonë, i Sopotit”,- u shpreh Shaqir Sulejmani.
 
Pas vendimit gjyqësor, për pafajësinë e sopotasve avokatët mbrojtës shpresojnë se të akuzuarit në afat sa më të shpejtë do të mund të  dëmshpërblehen për padrejtësinë që iu është bërë. 
 
“Janë mbajtur gjithë ato vite burg nga këta të akuzuar dhe u desh 15 vite procedurë që të arrijmë deri sot, në fazën kur nga analiza e të gjitha dëshmive del konkluzioni që këta të akuzuar nuk kanë të bëjnë aspak me rastin e Sopotit. Shpresoj që së paku të akuzuarit mos të humbin edhe shumë vite nëpër labirinte gjyqësore që të marrin dëmshpërblimin e merituar”,- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
 
“Arsyetimin që e dha PPS dhe e tërhoqi aktakuzën, sipas mendimit tim, ishte në nivel shumë të lartë profesional. Praktikisht edhe me këtë arsyetim u dëshmua që e gjithë kjo procedurë që zgjati 15 vite ka qenë një montim i shërbimeve sekrete”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Të akuzuarit nga fshati Sopot, Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini ishin të dyshuar se kanë kryer veprën penale “terrorizëm”, pasi nga shpërthimi i një mine në vitin 2003 kanë humbur jetën dy ushtarë të KFOR-it dhe një përkthyes.
 
Ata fillimisht ishin dënuar me 156 vite burg, por pas kthimit të lëndës në rigjykim dhe kalimit të saj në kompetencë të Prokurorisë Speciale, bazuar në materialet e përgjuara, u konfirmua se ata ishin të pafajshëm, ndërsa dëshmitari, Ramadan Bajrami, e kishte dhënë deklaratën në torturë psiko-fizike nga zyrtarët policorë.
 
ERSAN PAJAZITI