Botë
Shqipëri, përmbytje në disa zona
19.03.2018 18:27
Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të Shqipërisë. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve...

Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të Shqipërisë. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, në Durrës ka pasur përmbytje të mëdha, pasi uji ka mbuluar rrugë, madje ka hyrë deri në banesat e qytetarëve.
Reshjet e shumta kanë futur në kolaps zonën e Shkodrës. Është rritur niveli i ujit në lumenjtë Drin dhe Buna, ndërsa uji ka vërshuar edhe në rrugët e qytetit të Shkodrës, prezenca më e madhe e ujit në rrugë është në afërsi të Prokurorisë së Shkodrës dhe në pjesën e nën-Shkodrës. Bashkia ka marrë masat për akomodimin e personave që mund të evakuohen.
Ndërkaq, në Kukës ka pasur reshje të dendura dëbore në të gjithë territorin. Reshje dëbore ka pasur edhe në zonën e Valbonës, duke vështirësuar qarkullimin. Probleme në qarkullimin rrugor ka pasur sidomos në grykën e Vanave dhe në grykën e Valbonës.
Në disa segmentet rrugore ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh. Probleme ka edhe me prurjet e liqenit të Fierzës, të cilit i duhen edhe 50 cm të arrijë në kuotën maksimale, çka mund të çojë në shkarkime të mëdha e për pasojë edhe shtimin e nivelit të ujit në zonën e nën-Shkodrës dhe në Lezhë.
LULJETA NDOKA
