Maqedoni
PPS kërkon dënim me burg për Talevskën
19.03.2018 18:39
Prokuroria Publike Speciale ka dërguar ankesë deri te Gjykata e Apelit për dënimin e të akuzuarës në lëndën “Tifani”, Ivona Talevskën...

PPS sot ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Penale për shqiptimin e dënimit me kusht. Nga Specialja ankohen edhe për lartësinë e gjobave në të holla që Talevska dhe kompanitë ku ajo paraqitet si drejtuese duhet t’i paguajnë.
Edhe avokatët e Talevskës paralajmëruan ankesa deri në Gjykatën e Apelit për vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Penale. Sipas aktgjykimit të shkallës së parë që pasoi pasi Talevska e pranoi fajin, ajo duhej të paguante mbi 50 mijë euro për evazion fiskal.
Muajin e kaluar, gjykata e dënoi gazetaren, Ivona Talevskën, me dy vjet burg me kusht, nëse katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën për evazion fiskal. Sipas akuzës, Ivona Talevska si përfaqësuese dhe udhëheqëse e “Smart Centar” SHPK eksport-import–Shkup dhe Agjencisë “Smart”, gjatë periudhës nga 2008 deri më 2014, ajo dhe personat juridikë për t’i ikur taksave kanë dhënë informacion të gabuar për transferimin e taksave.
Ajo për nevoja personale ka blerë veshje të brendshme nga 500 euro, veshje me çmim prej 33,508 euro, syza, kozmetikë për 1,009 euro, mobile luksoze, sigurim për dyer, biçikleta dhe të ngjashme. Firmat e Talevskës nuk kanë paguar detyrimet tatimore me shumë prej 37,634 eurosh, ndërsa e akuzuara nuk ka paguar tatim me shumë prej 16,924 eurosh.
