Maqedoni

Kotzias: propozimet greke janë dërguar në Shkup. Kammenos: Maqedonia është një dhe është greke

20.03.2018 13:18

Në prag të vizitës së tij të enjten në Maqedoni, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias...

Në prag të vizitës së tij të enjten në Maqedoni, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, në deklaratën për televizionin shtetëror grek, ERT, pas mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së, ka konfirmuar se tashmë Shkupit i është dërguar teksti me propozimet greke dhe agjenda për bashkëpunim të ardhshëm. Mediat greke shkruajnë se teksti që i është dërguar Shkupit ka një volum prej 20 faqesh. 
 
“Kemi përpiluar tekst me propozimet tona në mënyrë të plotë në lidhje me çështjet e hapura të cilat i kemi me IRJM-në, njëkohësisht edhe për agjendën e ardhshme bashkëpunuese, e cila do të sjellë përfitime për të dyja palët. Këtë tekst e kemi dërguar para disa ditësh në Shkup”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
 
Ndërkohë, lideri i “Grekëve të Pavarur” dhe pjesë e koalicionit të qeverisë greke, Panos Kammenos, ka deklaruar se “Maqedonia” është një dhe është greke, prandaj për partinë e tij nuk janë të pranueshme emërtimet Jugore, Lindore, Perëndimore apo Veriore. Ai thotë se parakusht për zgjidhjet e çështjes së emrit janë ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë.
 
“Për emrin e Maqedonisë pozicioni i “Grekëve të Pavarur” është i qartë. Nuk pranojmë asnjë zgjidhje që përmban emrin “Maqedonia”, pasi ajo është vetëm një dhe është greke. Radha është që Shkupi të bëjë ndryshime kushtetuese, pasi Greqia ka bërë hapa të mjaftueshëm”,- ka deklaruar Kammenos.
 
Mediat greke tanimë kanë publikuar edhe propozimet për emrin e Maqedonisë që sipas tyre janë: Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Re e Maqedonisë, Republika e Epërme e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Republika e Maqedonisë - Shkupi.
 
GAZMEND REXHEPI