Maqedoni

Pagesa për çerdhe për fëmijët me një prind, lirohen nga participimi familjet me pak të ardhura

20.03.2018 14:39

Prindërit me të ardhura të ulëta, që përkujdesen të vetëm për fëmijët e tyre, nuk do të paguajnë më në çerdhet e fëmijëve...

Prindërit me të ardhura të ulëta, që përkujdesen të vetëm për fëmijët e tyre, nuk do të paguajnë më në çerdhet e fëmijëve, njoftojnë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Sipas vendimit, nga pagesa për çerdhe e kopshte do të lirohen të gjithë ata prindër që përkujdesen vetë për fëmijët, e që kanë rroga apo të ardhura mujore sa paga minimale në vend.

Në pajtim me angazhimin për mbështetje të prindërve që të vetëm përkujdesen për fëmijët e tyre, ministrja Carovska ka ndryshuar rregulloren me kushtet dhe kriteret përmes të cilave përfitohet e drejta e participimit në harxhimet për përkujdesje, edukim pushim dhe rekreim të fëmijëve në institucionet publike të përkujdesjes.

Ministria për Punë Sociale njofton prindërit që vetë përkujdesen për fëmijët e tyre, të plotësojnë dokumentacionin e caktuar me ndryshimet në Rregullore e të njëjtin ta dorëzojnë në kopshtin apo çerdhen ku qëndron fëmija i tyre, për të realizuar të drejtën e participimit të ndryshuar.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi nga dita e sotme.