Maqedoni
Deklaratë për raportim profesional në LGBT, ftohen mediat të nënshkruajnë deklaratën
20.03.2018 15:17
Përmes nënshkrimit të deklaratës për raportim etik dhe profesional për bashkësinë LGBT...

Përmes nënshkrimit të deklaratës për raportim etik dhe profesional për bashkësinë LGBT, njëzet mediume dhe shoqata do të angazhohen për respektimin e parimeve dhe parandalimin e diskriminimit ndaj këtij grupi.
Për LGBT raportohet shumë pak, evidente janë stereotipat dhe shumë vështirë tejkalohen paragjykimet. Mediat janë ato që duhet ta ndryshojnë realitetin dhe informimin për këtë grup, konsiderojnë përfaqësuesit e mediave dhe Koalicionit “Margini”.
“Klima gjenerale për të drejtat e kësaj bashkësie ngadalë po ndryshon, por edhe më tej duhet të punohet në këtë drejtim. Kjo pakënaqësi pasqyrohet edhe në realitetin që ofrojnë mediat, por të mos harrojmë se mediat janë kreatore të realitetit dhe atë rol duhet ta shfrytëzojnë që të ndryshojnë pasqyrën për bashkësinë LGBT”,- deklaroi kryetari i Agjencisë për Shërbime Audiovizuele, Zoran Trajkovski.
“Këshilli viteve të kaluara ka vërejtur raste kur informimi për këtë bashkësi është shoqëruar me stereotipa, paragjykime, diskriminim, informim selektiv si dhe perceptim se mbrojtja e të drejtave të kësaj bashkësie nënkupton kërcënim për të drejtat e shoqërisë”,- u shpreh Marina Tuneva nga Këshilli për Etikë në Media.
Koalicioni “Margini”, Këshilli për Etikë në Media, Shoqata e Gazetarëve dhe Agjencia e Mediave u bënë thirrje edhe mediave tjera të nënshkruajnë këtë deklaratë me qëllim që të kemi shoqëri e cila ofron trajtim të njëjtë për të gjithë.
FLUTURA LATIFI
