Maqedoni
Çmimi “Nikolla Mlladenov”, Mençe Toçi vendin e parë, Liridona Vejseli të tretin
20.03.2018 15:47
Gazetaria, Mençe Atanasova Toçi, nga televizioni Nova, është fituesja e çmimit “Nikolla Mlladenov”, që ndahet për storien më të mirë investigative për 2017 nga Instituti Maqedonas i Mediave....

Ajo mori çmimin e parë për ciklin e teksteve për importin paralel të ilaçeve në vend, e cila zbuloi aferën e ilaçeve të falsifikuara dhe keqpërdorimet e mëdha me manipulimin e qytetarëve dhe të çmimeve të ilaçeve që shiten në barnatoret e vendit.
Çmimi i dytë u nda për ekipin e gazetarëve të BIRN-it për storien hulumtuese “Investimet e huaja nën llupë”, e publikuar nga “Prizma” dhe në emisionin 360 gradë në Alsat M. Çmimi i tretë shkoi për gazetaren, Liridona Vejseli, për storien “Ku është shtabi i xhihadistëve”, të publikuar në internet portalin Zhurnal.
Mirënjohje mori edhe Sllavica Filipovska për storien “sa kohë na duhet që ta shkatërrojmë liqenin më të vjetër të Europës”, të publikuar në emisionin “360 gradë” në Alsat M. Në konkursin e sivjetmë të IMM-së u paraqitën 39 autorë me 60 storie të përfshira në 154 tekste, që janë publikuar nëpër televizione, gazeta ditore e mujore, apo portale on-line. Konkursi u mbajt për të 17 vit me radhë dhe është pjesë e angazhimeve të institutit për zhvillimin e gazetarisë profesionale dhe të vlerave demokratike në Maqedoni.
