Lirimi i të akuzuarve në rastin “Sopoti”, VMRO-DPMNE: Është pjesë e "Platformës së Tiranës"
Edhe pse opinioni tashmë ka dëgjuar vetë ish-ministren e brendshme, Janullovskën, të pohojë se të dënuarit për rastin e Sopotit dergjen burgjeve pa asnjë faj...

Edhe pse opinioni tashmë ka dëgjuar vetë ish-ministren e brendshme, Janullovskën, të pohojë se të dënuarit për rastin e Sopotit dergjen burgjeve pa asnjë faj, VMRO-DPMNE vlerëson se lirimi i të arrestuarve në rastin “Sopoti” ishte një ndër pikat e platformës që partitë shqiptare të Maqedonisë nënshkruan në Tiranë një vit më parë.
“Një ditë pasi PPS-ja i liroi me arsyetim se nuk kanë pasur dëshmi, ende nuk ka asnjë përgjigje se kush e minoi rrugën Sushevë – Sopot më 4 mars 2003, ku lëviznin patrullat e NATO-s. A do të ketë përgjegjësi nëse PPS-ja beson se qeveria e atëhershme e ka montuar hetimin? A do të ketë përgjegjësi për gjykatësit që atëherë e kanë udhëhequr lëndën, sepse sipas Katica Janevës ata kanë gjykuar pa dëshmi”,- pyesin nga partia e Mickovskit.
Nga PPS kanë pohuar tashmë se kanë edhe të dhëna për autorin e mundshëm të ngjarjes edhe pse nuk japin hollësi për shkak se lënda është ende në fazën parahetimore. Por, nga PPS thonë se vepra “terrorizëm” assesi nuk mund të lidhet me tashmë ish të akuzuarit.
