Maqedoni
ASh proteston në Gostivar: Qeveria të mos përzihet në punët e komunës. Taravari: Marrja e kompetencave, presion i BDI-së
20.03.2018 17:09
Aleanca për Shqiptarët ka protestuar në Gostivar...

Aleanca për Shqiptarët ka protestuar në Gostivar, duke kërkuar që qeveria të mos përzihet në punët e komunës dhe t’ia kthejë kompetencat në fushën e arsimit kryetarit aktual të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Kreu i Gostivarit, Arben Taravari, thotë se ministrja e Arsimit, Renata Deskoska, e ka sjellë vendimin për marrjen e kompetencave, të ndikuar nga presioni i BDI-së. Ai thotë se nëse nuk i kthehen kompetencat në arsim, protestat do të vazhdojnë.
Taravari gjithashtu ka akuzuar BDI-në për shkurtime të buxhetit të komunës që u miratua sot. Sipas tij, buxheti i parashikuar prej 12 milionë denarësh, në grafën për punësime të reja, është shkurtuar në një të katërtën me qëllim që udhëheqësia komunale në opinion të tregohet si e paaftë të menaxhojë me pushtetin lokal. Taravari paralajmëron se Buxheti komunal që sot u votua me mbështetjen e shumicës në Këshill, do të shkaktojë largime nga puna të të punësuarve në kopshte, në ndërmarrjet komunale dhe në njësitë zjarrfikëse.
LULZIM HAZIRI
