Botë
Demarkacioni - seancë e jashtëzakonshme, Haradinaj: Vendimi është në dorën tuaj, por edhe kërkesë e qytetarëve; Hoti: Marrëveshja është e drejtë
20.03.2018 18:52
Kuvendi i Kosovës po diskuton marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri, Ramush Haradinaj...

Kuvendi i Kosovës po diskuton marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri, Ramush Haradinaj, u kërkoi deputetëve të votojnë pro kësaj marrëveshje, pasi, siç tha ai, vota pro është votë për integrimin europian të Kosovës, si dhe mundëson heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Vendimi është në dorën tuaj dhe vota pro këtij projektligji sot është edhe kërkesë e shumicës së qytetarëve. Ju bëj thirrje pa dallim partie apo etnie, apo bindje ideologjike, që të votoni pro këtij projektligji”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se LDK do ta përkrahë këtë marrëveshje, pasi beson që marrëveshja është e drejt dhe palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen nëse paraqiten fakte të reja, pra të formohen trupa të përbashkët për të shqyrtuar faktet e reja, përpilohet marrëveshja e re dhe bëhet ratifikimi.
“Të nderuar kolegë të LVV-së, edhe ju e dini se kjo marrëveshje siguron lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshja i hap rrugë subjektivitetit të Kosovës. Unë ju garantoj se do të jemi këtu nëse kemi nevojë të sjellim edhe një herë këtë marrëveshje në Kuvend, nëse ka fakte të reja, pa votën tuaj ratifikimi i marrëveshjes varet nga Lista Serbe, dhe ju ftoj të shmangim çfarëdo konstruksion që mund të bëhen në dëm të Kosovës”,- theksoi kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Por, Vetëvendosja ia la në tavolinë peticionet e qytetarëve kundër Demarkacionit kryeministrit Haradinaj. Ndërsa deputeti, Glauk Konjufca, tha se kjo marrëveshje është e dëmshme, pasi Kosova humb territor. Pjesë e marrëveshjes është edhe deklarata e dy presidentëve, që mundësoi ndryshim qëndrimi nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj.
GYLTENE SINANI
