Maqedoni

Dënimi i Naser Eshtrefit, familjarët kërkojnë rigjykim me rikualifikim të lëndës

21.03.2018 13:05

Rikualifikimi i lëndës për rastin e Almir Aliut nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”...

Rikualifikimi i lëndës për rastin e Almir Aliut nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”, ka sjellë në vëmendjen e opinionit një tjetër rast nga viti 2014, kur i riu nga Gërceci, Naser Eshtrefi, u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e maturantit, Angjel Petkov.
 
Edhe ky është një rast i nisur pas pretendimeve se Naseri ka dashur të vjedhë biçikletën e 16 vjeçarit, që përfundoi me ndjekje të gjatë nga vendngjarja fillestare deri në afërsi të spitalit të syve, në Gjorçe Petrov, ku tashmë i ndjeri 16 vjeçar dhe babai i tij, rrahën Naserin me shkop bejsbolli, e ky i fundit vrau me thikë Angelin.
 
Edhe pse gjatë gjithë kohës mbrojtja e Naserit këmbëngulte se vrasja ka ndodhur në vetëmbrojtje, e për këtë ka edhe xhirime të kamerave të sigurisë. Naseri u dënua për vrasje me paramendim sipas nenit 123 të Kodit Penal.
 
Në gjykatë asnjëherë nuk u paraqitën si provë as shkopi i bejsbollit me të cilin Naseri u rrah, e as thika me të cilën u vra Angeli. Familjarët kërkojnë rigjykim të lëndës.
 
“Ne kërkojmë sërish të ketë rigjykim të këtij rasti dhe gjykata të marrë provat e tërësishme se veprimi i Naserit është bërë në vetëmbrojtje. Kërkojmë drejtësi, të dënohet aq sa është për t’u dënuar, e jo të ketë gjykim në bazë nacionale. Ne kemi pasur dëshmitarë ku kanë shpjeguar se në çfarë gjendje e kanë parë nipin tim, ata kanë thënë se dy persona e kanë rrahur barbarisht Naserin, madje njëri prej dëshmitarëve okularë ka thënë në gjykatë se e ka ngatërruar numrin e telefonit për të thirrur policinë, pasi që është tmerruar nga ajo që ka parë, ndërsa tjetri ka dëshmuar se Naseri në vazhdimësi ka kërkuar ndihmë”,- deklaroi gjyshi i Naserit, Ilmi Nuishi.
 
Avokati mbrojtës, Aleksandar Gjorgjiev, thotë se kërkesa për rivlerësim të vendimit është dërguar që para një viti e gjysmë deri te Gjykata Supreme, por ende sot e kësaj dite nuk ka asnjë përgjigje nga gjykata.
 
Sipas tij, Naseri duhej të gjykohej sipas nenit 125 të Kodit Penal, pra si vrasje në vetëmbrojtje të padiskutueshme ose vrasje e çastit.
 
“Të jem i sinqertë, për shkak të lëndimeve serioze që ka marrë Naser Eshtrefi në vendin e ngjarjes dhe provat që i posedojmë ne, Gjykata Supreme duhet t’i shfuqizojë të dy vendimet gjyqësore për këtë rast dhe të kthehet lënda në rigjykim, ku do të merren parasysh të gjitha provat e lëndimeve të Naserit dhe do të mund të bëhet ekspertiza shtesë e video-incizimeve nga vendi i ngjarjes, pasi që ka indikacione, por këtë nuk e them me siguri, sepse këto materiale ndoshta mund të jenë të prera, pasi në disa momente të videos mungojnë nga 20 dhe 40 sekonda material, gjë që mund të arsyetojë veprimin e Naserit se ai është vetëmbrojtur”,- u shpreh avokati mbrojtës, Angel Gjorgjiev.
 
Vrasja e 16 vjeçarit në atë kohë solli një valë reagimesh të dhunshme ndaj shtëpive dhe banesave të shqiptarëve në Gjorçe Petrov.
 
Gjatë rrahjes, Naserit i janë shkaktuar 19 lëndime trupore që janë konfirmuar edhe nga ekspertët e kriminalistikës mjekësore dhe që duken qartë edhe në fotografitë që gjyshi i tij tashmë po i shëtit në dyert e mediave, pasi drejtësia e ka mbyllur derën e saj për Naserin. 
 
REXHEP QAMILI