Maqedoni
Xhaferi: Dekretimi i Ligjit për gjuhët nuk është alternativë, por obligim i prerë i Ivanovit
21.03.2018 15:20
Ligji i gjuhëve pritet të hyjë në fuqi dhe ai përmbyll ligjvënien që buron nga Marrëveshja e Ohrit...

Ligji i gjuhëve pritet të hyjë në fuqi dhe ai përmbyll ligjvënien që buron nga Marrëveshja e Ohrit, tha kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Xhaferi thotë se të gjitha procedurat janë përmbyllur për Ligjin e gjuhëve dhe Ligji i miratuar duhet të zbatohet. Paralajmërimin e presidentit, Gjorge Ivanov, për të mos e dekretuar ligjin, e vlerëson si moszbatim të detyrimit kushtetues dhe çështje të përgjegjësisë së presidentit.
“Kushtetuta nuk lë hapësirë alternative për të zgjedhur se a do ta nënshkruajë ose jo ligjin. Ai është i obliguar konform nenit 75 të kushtetutës. Për momentin, unë jam duke pritur kohën e paraparë me kushtetutë dhe ligjet përcjellëse. Nëse në rastin e parë afati është shtatëditor, me analogji edhe në këtë rast duhet të ketë atë përkufizim, për faktin që është detyrim dhe detyrimi nuk ka afat dhe kushtetuta nuk parasheh afate për zbatimin e saj. D.m.th. është obligim i prerë i tij. Në këtë drejtim janë çështje të zbatimit dhe të ekzekutimit të normave ligjore, që është kompetencë e pushtetit ekzekutiv”,- tha Xhaferi.
