Maqedoni

Ligji për gjuhët, ekspertët: Presidenti, në konflikt me Kushtetutën

21.03.2018 15:32

Kompetencën për miratimin e ligjeve e ka Kuvendi, ndërsa presidenti nuk ka të drejtë absolute...

Kompetencën për miratimin e ligjeve e ka Kuvendi, ndërsa presidenti nuk ka të drejtë absolute për të bllokuar një ligj që është miratuar për së dyti herë, sqaron eksperti juridik, Bekim Kadriu. Mosdekretimi i ligjeve, pas miratimit të dytë, është në konflikt me kushtetutën dhe nuk guxon të prodhojë pasoja relevante juridike, thotë ai.
 
“A mund të shkojë ligji në gazetë zyrtare? Përgjigja ime është po, për shkak se ne nuk mund të jemi peng i shkeljes së kushtetutës nga ana e presidentit. Një, kuvendi e ka iniciativën dhe kompetencën e miratimit të ligjeve; Nën dy, presidenti e ka të drejtën e vetos suspensive dhe joabsolute, pra presidenti nuk mundet, nuk ka të drejtë, të bllokojë miratimin e një ligji derisa kuvendi e ka miratuar për së dyti; nën tre, presidenti i RM-së momentalisht është në konflikt me kushtetutën dhe shkelja e tij, që natyrisht duhet të prodhojë edhe përgjegjësi për atë, ligji domosdoshmërisht të shkojë më tutje, pra shkelja e kushtetutës nga ana e presidentit nuk guxon ta bllokojë ligjin”,- deklaroi eksperti juridik, Bekim Kadriu.
 
Për analistin politik, Abdulla Memeti, veprimet e presidentit Ivanov janë të pritshme, ndërsa gjuha shqipe ka qenë zyrtare që në Ish-federatën Jugosllave.
 
“Gjuha shqipe ka qenë zyrtare me kushtetutën e vitit 1974 në nivel të Federatës Jugosllave dhe edhe me miratimin e këtij ligji ne jemi shumë larg nga këto standarde. Ashtu siç parasheh ligji aktual, ne jemi ende nën standardin e asaj që ka qenë e përcaktuar, e rregulluar me kushtetutën e vitit 74 edhe në nivel fedarativ të Kushtetutës së atëhershme jugosllave të shtetit të përbashkët edhe në nivel të Kushtetutës së Maqedonisë”,- deklaroi analisti politik, Abdulla Memeti.
 
Gjuhëtari, Berton Sulejmani, u përqendrua në zbatimin e ligjit. Sipas tij, që të shmangen shkeljet gjuhësore, domosdo duhet kyçur ekspertë të fushës nga katedrat e universiteteve të vendit dhe zbatimi të mos mbetet vetëm në duart e përkthyesve.
 
“Do të ishte një gabim shumë i madh nëse së paku të gjitha ato akte ligjore, të gjitha ato mbishkrime të qeverisë dhe të nivelit lokal të mbesin vetëm në duart e përkthyesve, sepse është domosdo katedra e UT-së dhe ajo e Shkupit të jenë të kyçura, sidomos profesorët që janë të punësuar në këto katedra si ekspertë të fushës së gjuhësisë, por gjithnjë duke u mbështetur në praktikën dhe emërtimin e këtyre institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë”,- u shpreh gjuhëtari, Berton Sulejmani.
 
Panelistët në “Argument” në TVM2 nuk përjashtojnë mundësinë që për ligjin të ngrihet iniciativë deri në Gjykatën Kushtetuese, por që kjo të bëhet, ligji njëherë duhet të hyjë në fuqi. Ndërkaq, për ta, qëndrimet e Komisionit të Venedikut janë vetëm këshillëdhënëse. 
 
NAIM RAMADANI