Maqedoni
Rekomandimet e Komisionit të Venecias, Boshnjakovski: Të gjitha do të implementohen
21.03.2018 15:46
Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të shpallet në gazetën zyrtare dhe më pas të dërgohet deri tek Komisioni i Venecias...

Këtë e bën të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, sipas të cilit rekomandimet e këtij Komisioni do të implementohen.
“Të gjitha rekomandimet që do të arrijnë nga ky komision do të implementohen në mënyrë adekuate dhe për këtë ekziston marrëveshje mes partnerëve të koalicionit”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Boshnjakovski nuk dha as ndonjë përgjigje konkrete rreth rikonstruimit apo zgjerimit të qeverisë me partnerë të rinj.
Nuk dihet kush do të zërë vendin e ministrit të drejtësisë që dha dorëheqje për arsye morale, pas rikualifikimit të lëndës për Almir Aliun, por Boshnjakvski ishte i prerë se dorëheqja e Salihit nuk do të ndikojë në reformën në drejtësi.
“Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi rritje të mundshme të shumicës parlamentare dhe ky proces po rrjedh. T’i lëmë hapësirë të njëjtit që të përfundojë dhe do të informoheni. Për sa i përket dorëheqjes së ministrit të drejtësisë, do të ripërsëris fjalët e tij, pushteti gjyqësor është i pavarur dhe ashtu duhet të mbetet, dorëheqja nuk do të ndikojë në reformat në drejtësi dhe në asnjë moment, asgjë nuk do të ngecë. Dorëheqja ishte akt moral pas humbjes së besimit në funksionimin e reformave në pjesë të caktuara të organeve të drejtësisë, ku përfshihet edhe rasti me Almirin e vogël”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Në pyetjen nëse kanë nisur bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së për rikonstruim të mundshëm të qeverisë, Boshnjakovski vlerëson se këto pyetje duhen drejtuar deri tek partnerët e koalicionit dhe jo tek Qeveria.
FLUTURA LATIFI
